Viktor Tushaj: Pushteti i degraduar i rilindjes hartoi politika shkatërruese në çdo sektor
Nga Viktor Tushaj
Çdo forcë politike që fiton pushtetin, fiton të drejtën edhe të hartimit dhe diktimit të politikave zhvilluese kombëtare.
Mirëpo pushteti i rilindjes, i degraduar që në momentin e krijimit, i mbështetur jo thjeshtë nga falanga kriminale por nga krimi i organizuar në perfeksion, me një arrogancë që ja kalon çdo diktature hartoi dhe zbatoi një politikë ekonomike dhe sociale shkatërruese në çdo sektor e në çdo qelizë.
Të gjitha reformat janë të konceptuara ose gabim ose gjysmakë. Ato, jo vetëm nuk kanë dhënë asnjë rezultat pozitiv por përkundrazi kanë krijuar një impakt tejet negativ në të gjithë sektorët, dhe kjo ndodh kur nuk ke një strategji të qartë se ku do ta dërgosh vendin, kur edhe ato pak strategji që kishte në fillimet e qeverisjes nuk u mbështetën me programe dhe projekte konkrete.
Reforma populiste, të pastudiuara dhe të konceptuara si masa shtrënguese siç ishin ato të pagesave të energjisë e ujit, që padyshim ndikuan në përmirësimin e sektorëve por kostoja sociale, për shkak të paaftësisë qeverisëse ishte marramendëse.
Politika fiskale tronditi themelet e ekonomisë së vendit duke rritur çdo taksë e improvizuar tarifa pa fund për sherbime të munguara. Ajo falimentoi me mijëra biznese dhe varfëroi deri në kufijt e mbijetesës familjet shqiptare.
Mjafton te ndalemi tek e ashtuquajtura reforma në drejtësi. Nuk ka shqiptar që nuk e ka kuptuar rëndësinë historike të saj. E kuptuan edhe politikanët që votuan në unanimitet për ndryshimet kushtetuese si porta e hyrjes dhe çelësi kryesor i një reforme që do të përmirësonte sistemin e drejtësisë duke e pastruar atë nga të gjithë ata që ndërtuan shtetin e të padrejtës dhe të padrejtësisë sociale viktimë e së cilës ishin mijëra e mijëra shqiptarë që pafundësisht dhe më kot, prisnin para dyerve të gjykatave për drejtësi. Por sekti i Rilindjes, i mpleksur dhe i bërë një me krimin, i frikësuar nga unanimiteti politik dhe mbi te gjitha ai mbarë popullor, perdori çdo manovër për ta penguar. Pengoi krijimin e KLP-së dhe KLGJ-së, të ILD-së, institucionet kryesore të ndërtimit të strukturës hierarkike të sistemit, dhe që do i hapte rrugë krijimit ë Byrosë së hetimit dhe SPAK-ut, si instrumenta decisiv të verifikimit të ligjshmërisë së çdo institucioni, publik e privat, por edhe të çdo pushtetari e politikani zullumqar në këtë vend.
Sekti i rilindjes i tmerruar nga reforma hartoi strategjinë e kapjes së prokurorit të përgjithshëm, intimidimin e çdo prokurori dhe gjykatësi, paralizimin e gjykatave dhe të gjykatës së lartë e mbi të gjitha asgjesimin e gjykatës kushtetuese. Po kujt i intereson kjo? Kush ka frikë nga ajo? PD-ja nuk e besoj se ka 6 vjet që është larg pushtetit, LSI përsëri jo sepse pushteti i tepsisë vetëm, ka patur kohë të verifikojë paligjshmëritë dhe të dërgojë në burg të gjithë ata që abuzuan me pushtetin. Popullit jo e jo. Atëherë përgjegjësia i mbetet vetëm sektit më famëkeq që ka qeverisur ndonjëherë këtë vend. Ky sekt me zullumet e veta, paudhësitë e pafund, vjedhjet e plaçkitjet e pronës publike e private, abuzimet ditën për diell, ka gjithë interesin që reforma në drejtësi të vejë në kolaps përgjithmonë. As në vitin 1945, pas luftës së II botërore, sistemi i drejtësisë shqiptare nuk ka qenë me në kolaps se sot. A nuk e dinte qeveria e tepsisë se shkolla e magjistraturës është e rëndësishme për të pregatitur zëvendesuesit e gjykatësve dhe prokurorëve të paaftë dhe të korruptuar? Këmbanat e alarmit ka kohe që kanë rënë.
S’ka gjykatë kushtetuese, skemi gjykatë të lartë, shpejt s’do kemi as gjykata apeli, e ndërsa gjykatat e rretheve punojnë me gjysëm kapaciteti. Kush e ka fajin për këto? Opozita? Populli? Kur Gjermania me delikatesë dhe përgjegjshmëri po programon cdo ditë e cdo minute edhe infermierët për mbajtjen në normalitet të shërbimit në këtë sektor, sekti i rilindjes nuk ka aftesinë e përgjegjshmërinë të projektojë dhe mbështesë shkollën e aftësimit e zëvendesuesve të gjykatësve dhe prokurorëve të republikës së Shqipërisë. Mirëpo kur cdo element i reformës historike në drejtësi duhej të ishte konsensual si ka moral sekti, Ponzi Pilat, vrasësi i reformës, të kërkojë votat për magjistratët? Nuk mjaftojnë për shpëtimin e sistemit që e shkaterruat qartësisht me strategji, as 25 apo 50 magjistratë në vit. Kjo është tu hedhësh hi syve të shqiptarëve.
Shumica e popullit e ka kuptuar se kush jeni, të tjerët, përvec atyre nevojtarëve që të detyruar ngjyejnë kafshatën e bukës së fëmijëve në batakun që keni krijuar, po e kuptojnë dita ditës dhe orteku i halleve të tyre do ju zejë poshtë megjithë pasuritë tuaja marramendëse.
KOHA JONË SONDAZH

