Zgjedhja e Kryeprokurorit/ Ç’farë parashikon Kushtetuta dhe nisma e Ramës për…
Mazhoranca socialiste ka paralajmëruar zgjedhjen e Prokurorit të ri të Përgjithshëm, pasi mandate i Adriatik Llallës përfundon më 3 dhjetor 2017.
Ngërçi që krijohet për zgjedhjen e Kryeprokurorit ka të bëjë me mosngritjen e Këshillit të Lartë të Prokurorisë, i cili sipas Kushtetutës ka si kompetencë deklarimin e mbarimit të mandatit të Kryeprokurorit, por njëherazi i propozon Kuvendit edhe 3 kandidaturat për këtë pozicion.
PS duket e vendosur në nismën e saj, ndërkohë që opozita ka paralajmëruar se nuk do të lejojë kapjen e prokurorisë nga Edi Rama.
Opdat dhe Euralius përmes një dokumenti të publikuar pak ditë më parë i janë referuar dispozitave tranzitore për zgjedhjen e Kryeprokurorit, duke sugjeruar zgjedhjen e një prokurori tranzitor deri në ngritjen e Këshillit të Lartë të Prokurorisë.
Nisma që pritet të ndërmerret nga mazhoranca socialiste mund të përfundojë në Gjykatën Kushtetuese, nëse një nga palët e interesuara në proçes do të kërkoj interpretimin e zbatimit të dokumentit themeltar të shtetit në rastin konkret.
Konsititucionalistët mendojnë se sugjerimet që bëhen në lidhje me çështjen pikë së pari duhet të bazohen në Kushtetutë dhe më pas mund të kalohet në dispozitat e veçanta të saj. Dhori Sollaku dhe Çlirim Gjata do të deklaronin dy ditë më parë në një nga emisionet televizive se gjithçka duhet të bazohet në Kushtetutë dhe mandate i Kryeprokurorit deklarohet i përfunduar vetëm nga KLP.
Gjata thotë se nëse merren shembuj konkretë, një ministër apo Kryeministër largohet nga detyra në momentin që merr detyrën pasardhësi. Në këtë kuadër, ai thotë se duhet ecur me të njëjtën llogjikë, pasi asnjë institucion tjetër nuk ka kompetencë veç KLP-së që të deklarojë përfundimin e mandatit. Referuar dispozitave Kushtetuese, Gjata thotë se ato përdoren në rastet kur mandati ndërpritet në kushtet kur p.sh Kryeprokurori nuk kalon vetingun.
Në të njëjtën llogjikë përsa i takon zbatimit të Kushtetutës është edhe Dhori Sollaku, ish-kryeprokuror.
Por çfarë parashikon neni 148 i Kushtetutës?
Prokurori i Përgjithshëm zgjidhet me tre të pestat e anëtarëve të Kuvendit, mes tre kandidatëve të propozuar nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë, për një mandat 7-vjeçar dhe pa të drejtë riemërimi.
Këshilli i Lartë i Prokurorisë, bazuar në një thirrje publike dhe procedurë transparente, përzgjedh dhe rendit tre kandidatët më të kualifikuar dhe ia përcjell Kuvendit, sipas ligjit.
Prokurori i Përgjithshëm zgjidhet nga radhët e juristëve të spikatur, me jo më pak se 15 vjet përvojë pune, me integritet të lartë moral dhe profesional, që kanë përfunduar Shkollën e Magjistraturës ose kanë një gradë shkencore në drejtësi. Kandidati nuk duhet të ketë mbajtur funksione politike në administratën publike, ose pozicione drejtuese në parti politike gjatë 10 vjetëve të fundit përpara kandidimit.
Nëse Kuvendi nuk zgjedh Prokurorin e Përgjithshëm brenda 30 ditëve nga paraqitja e propozimeve, kandidati i renditur i pari nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë shpallet i emëruar.
Pas përfundimit të mandatit dhe me kërkesë të tij, Prokurori i Përgjithshëm emërohet në detyrën e mëparshme ose gjyqtar në gjykatën e apelit.
Mandati i Prokurorit të Përgjithshëm mbaron kur:
a) mbush moshën e pensionit;
b) përfundon mandatin 7-vjeçar;
c) jep dorëheqjen;
ç) shkarkohet sipas nenit 149/c të Kushtetutës,
d) vërtetohen kushtet e pazgjedhshmërisë dhe të papajtueshmërisë në ushtrimin e funksionit;
dh) vërtetohet fakti i pamundësisë për të ushtruar detyrën.
Mbarimi i mandatit deklarohet me vendim të Këshillit të Lartë të Prokurorisë.
KOHA JONË SONDAZH

