Zogaj: PD në rrezik të çarjes, Basha duhet të dorëhiqet si Renzi
Situata në kampin blu nuk është e qetë, pas humbjes drastike në zgjdhjet e 25 qershorit. Mbi të gjitha situata pas deklaratës së Bashës që hap garën e që ai kandidon, ka shaktuar një sërë debatesh dhe akuza. Mes tyre është edhe kandidati i PD-së në Lezhë, Preç Zogaj. Ai i kërkon Lulzim Bashës t’u sigurojë mundësinë rivalëve të tij për të kandiduar si të barabartë me të.
Sipas Zogajt, vendimi i Bashës për të ngrirë funksionet e tij është i pakuptueshëm, ndonëse si shembull është ndjekur më herët edhe nga Kryeministri italian, Mateo Renzi.
Kandidati i PD-së në Lezhë kërkoi që Basha të mbajë partinë e bashkuar, pasi rrezikohet përçarja dhe kjo gjë, sipas Zogajt, sigurohet duke lejuar një garë të ndershme brenda PD.
“Basha duhet të krijojë konditat për një garë të ndershme në PD. Të vendosë në themel të saj votën e lirë, konkurrencën e lirë, rregullat e barabarta të lojës për të gjithë. Është e vetmja mënyrë për ta mbajtur të bashkuar partinë. Basha ka përgjegjësinë që nga kjo dramë e PD të japë kontributin e tij që partia të dalë e sqaruar dhe e bashkuar. Në këtë kuptim, Basha mund të jepte edhe dorëheqjen. Atë ngrirjen unë nuk e kuptoj, të them të vërtetën. E ka bërë edhe Renzi, edhe ky të japë dorëheqjen dhe të rikandidojë. Ai ka argumentet për të rikandiduar. Basha duhet t’u sigurojë mundësinë rivalëve të tij që të konkurrojnë si të barabartë me të. Kjo është demokratike, por e dikton edhe situata që është tani, sepse rrezikon të çahet partia”, tha Zogaj.
Kandidati i Lezhës u kërkoi demokratëve që debati mes tyre të jetë ai brenda një familjeje politike. Sipas tij, problemi më i madh i këtyre zgjedhjeve ishte shitblerja e votave.
“Le ta zhvillojmë debatin si brenda familjes. Të biem dakord që problemi më i madh i këtyre zgjedhjeve ishte shitblerja e votës. Të biem dakord që në zgjedhje nuk na ka futur Edi Rama, por kemi hyrë në respekt të partnerëve tanë strategjikë. Unë nuk jam i befasuar që Edi Rama ka prerë në besë Lulzim Bashën. Nuk kam pritur kurrë besnikëri nga Edi Rama. Kam thënë disa herë që PD nuk duhet të hynte në zgjedhje, por kur SHBA hyri në lojë, kam thënë që ata janë partnerë strategjikë”, deklaroi Zogaj.
KOHA JONË SONDAZH

