Home Aktualitet Psiko-analiza...

Psiko-analiza politike e nji humbje të paralajmrueme

154
0
Nga Nest Zefi-
Në statuset e shpeshta të denuncimit të përpiktë të iluzionit të nji opozite në realitetin shqiptar, personalisht e kam parashikue ndëshkimin poshtnues të ksaj parie të ngushtë uzurpuese opozitare, tue e konsiderue 14 majin si fundin e turpshëm dhe të merituem të tyne.
Përtej problemeve me standartin e zgjedhjeve, të inauguruem qysh me 26 maj të vitit 1996 prej vetë Sali Berishës me grupin e mercenarëve të tij, të cilët kanë levizë me ndihmue edhe partinë socialiste gjatë votimeve ciklike, shtoj se, ksaj rradhe disfata kolosale nuk mund të trajtohet e analizohet me kritere të mirëfillta politologjike apo të psiko-analizës politike, por me kritere metafizike..
Kto zgjedhje nuk janë sukses i Edi Ramës e as i cilësisë të kandidatëve të tij, nji pjesë e mirë e të cilëve janë kenë ushtar të bindun të Sali Berishës dhe Ilir Metës, por nji ndëshkim me frymëzim hyjnor i popullit shqiptar prej Vermoshit deri ne Konispol ndaj nji klase politike të kriminalizueme deri në palcë, krejtësisht e papranueshme për nji minimum qytetnimi njerzor.
Shembulli i Shkodrës dhe krahinave të saj me rezultat mbreslanës në kto votime, të cilët janë persekutue me mizori të pashembullt prej rregjimit komunist, tue fillue prej vitit 1944 dhe mandej me inerci postkomuniste tinzare prej vitit 1991, asht dëshmia ma spektakolare e nji distance abisale ndërmjet qytetarëve dhe klasës politike medemek opozitare, e cila vazhdonte avazin e bastionit artificial apo “tokës të xanun” në kto zona.
Me daljen e rezultatit  të humbjes poshtnuese të uzurpatorëve opozitar, pritej minimalisht që të kishte edhe nji reagim ndjese ndaj qytetarëve shqiptar, përveç akuzave për manipulim ndaj qeverisë, si shej i nji cipe fisnikërie njerzore prej dy humbsëve të mëdhej të ktyne votimeve lokale, por përkundrazi, vërej nji ndërzyemje të atyne pak mercenarëve që u kanë mbet mrapa, të cilët lshojnë pa prajt diarrenë verbale kundër popullit, medemek “dele” që i refuzoi.
Otomanët e Ramiz Alisë që pronsuen “me tapi” opozitën qysh në kry të herës, e kanë alergji “punën e pendimit” dhe atë të “perëndimit” dhe sjellja e tyne me kujton në disa aspekte, disa analogji interesante me të pandehunit në gjykatën e Nurimbergut, të cilët nen presionin e hutimit, nuk kuptonin pse ishin në bankën e të akuzuemve…
Prandej, sot nuk ka dekë opozita, por parodia ma e shëmtueme e saj dhe paterica e nji pushteti të korruptuem, largimi i të cilëve me ndihmën e Zotit dhe aleatëve euro-atlantikë, do të përftojë nji dinamikë të re normaliteti demokratik në vendin tonë.
Sigurisht, rreziku i çakejve asht gjithmonë në pritë, por pjekunia e qytetarëve shqiptar, e dëshmueme në këtë rast, meriton vlersim e rrespekt, tue kenë garanci për nji ndryshim kursi. Forca e opozitës asht ndershmënia dhe integriteti, fakt i provuem në rastin e Bashkisë Mirditë, ku nji djalë dinjitoz, me taban familjar e komunitar të epërm, triumfoi me fuqinë e vlerave që ka jetue e propozue, edhe pse nen flamurin e nji koalicioni të damkosun prej aleatëve tonë strategjikë.
Si përfundim, mendoj se kto votime ishin edhe nji shtysë me rishikue kontratën sociale ndërmjet shprehive plurale të realitetit shqiptar, për me gjetë nji formulë të re efikase përfaqësimit në përputhje me sensin e përkatësisë fetare dhe territoriale të kontekstit tonë. Sall në këtë mnyrë, shqiptarët kanë nji të ardhme paqet e raportimi me drejtësi e korrektësi demokratike me njeni tjetrin. Ndëshkimi i nji mashtrimi toksik sistemik, eksperte e të cilës ishte kjo opozitë, i cili ka kaplue dhe instrumentalizue nëpërmjet shantazhit miklues, vuejtjet reale të shumë personave vullnetmire gjatë rregjimit komunist, por me naivitet të fortë në rrafshin politikë, e konsideroj nji vlerë të ktyne votimeve. Kto votime janë edhe fundi i dominimit politik të Edi Ramës, edhe pse mund të duket paradoksale..

LAJMET KRYESORE

Të përzgjedhura

Më shumë nga Aktualiteti

Më shumë nga Aktualiteti

Lajmet e Fundit

Te Fundit