Home Aktualitet Sekretari i S...

Sekretari i Shtetit, Blinken: Amerika i ka miratuar Ukrainës përdorimin e armëve amerikane brenda Rusisë

46
0

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, tha të premten se Uashingtoni miratoi përdorimin e armëve amerikane brenda Rusisë nga Ukraina, e cila sipas tij do të bëhet një ditë anëtare e NATO-s. Ai i bëri këto komente në përfundim të takimit të ministrave të Jashtëm të aleancës ushtarake perëndimore, të cilët diskutuan të premten në Pragë përgatitjet për takimin e udhëheqësve të NATO-s në muajin korrik në Uashington, ndërsa aleanca po shton mbështetjen për Ukrainën dhe vendet anëtare po heqin kufizimet për mënyrën se si Kievi mund të përdorë armatimet perëndimore për të luftuar kundër agresionit rus.

“Javët e fundit, Ukraina erdhi te ne dhe kërkoi autorizimin për të përdorur armët që ne po ofrojmë për t’u mbrojtur kundër këtij agresioni, përfshirë kundër forcave ruse që po grumbullohen në anën ruse të kufirit dhe më pas sulmojnë Ukrainën. Kërkesa shkoi drejt te presidenti Joe Biden dhe siç e keni dëgjuar, ai e ka miratuar përdorimin e armëve tona për këtë qëllim”, tha sekretari Blinken.

Një numër ministrash të Jashtëm të vendeve anëtare të NATO-s, përfshirë ata nga Gjermania, Holanda, Finlanda e Polonia mbështetën një mundësi të tillë, duke nënvizuar atë që sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, e quajti të drejtën e Ukrainës për për të mbrojtur veten nga sulmet ruse. Sekretari Stoltenberg iu kundërvu paralajmërimeve nga Kremlini se lejimi i përdorimit të armëve perëndimore në tokën ruse vetëm sa do të përshkallëzojë konfliktin.

“Vetëmbrojtja nuk është përshkallëzim. Vetëmbrojtja është një e drejtë themelore. Ajo është e sanksionuar në Kartën e Organizatës së Kombeve të Bashkuara”, tha zoti Stoltenberg. Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, nuk deshi të jap hollësi rreth heqjes së kufizimeve mbi përdorimin e armatimeve perëndimore, por theksoi se furnizimi i ngadaltë me ndihma ushtarake për vendin e tij ishte “armiku kryesor sot”.

Sekretari Stoltenberg vuri theksin te vazhdimi i mbështetjes afatgjatë për Ukrainën. “Që nga agresioni i Rusisë në vitin 2022, aleatët i kanë ofruar Ukrainës çdo vit mbështetje ushtarake me vlerë prej rreth 40 miliardë eurosh. Ne duhet të mbajmë të paktën këtë shkallë mbështetjeje çdo vit, për aq kohë sa është e nevojshme. Unë kam propozuar gjithashtu që aleatët ta ndajnë këtë barrë në mënyrë të barabartë”, tha sekretari i NATO-s, duke theksuar ndërkaq se aleatët pajtohen që e ardhmja e Ukrainës është në NATO dhe janë të vendosur ta shkurtojnë rrugën e këtij anëtarësimi.

“Qëllimi ynë tani është të vendosim urën për ta sjellë Ukrainën më afër dhe më pas përfundimisht në NATO. Dhe është një urë që unë mendoj se do ta shihni të shfaqet në takimin e Uashingtonit që është shumë e fortë, shumë mirë e ndriçuar. Do të ketë një paketë të fuqishme mbështetjeje për Ukrainën në atë takim, një paketë që forcon bashkëpunimin dhe mbështetjen e NATO-s për Ukrainën, që çon përpara integrimin e Ukrainës në NATO”, tha ndërkaq sekretari amerikan i Shtetit.

Jo të gjithë aleatët e NATO-s pajtohen me rrugët e ndihmës për Ukrainën. Italia tha se e ka të ndaluar me kushtetutë të lejojë Kievin të përdorë armët e dhuruara prej saj jashtë Ukrainës. Kryeministri hungarez Viktor Orbán tha se planet e tilla “e afrojnë Evropën më pranë shkatërrimit”. /VOA/

LAJMET KRYESORE

Të përzgjedhura

Më shumë nga Aktualiteti

Më shumë nga Aktualiteti

Lajmet e Fundit

Te Fundit