Home Kultura “Shqipëria nj...

“Shqipëria një histori e mentaliteti juridik”, e drejta jonë shekullore e të jetuarit fisnikërisht në drejtësi

159
0

Nga Albert Vataj

Libri studimor i Ndriçim Kullës, “Shqipëria një histori e mentaliteti juridik” është një qasje jo dhe aq për të nga grishur në një joshje leximi, sa ç’është një thirrje e kakohëshme që kemi dëgjuar, amanet i kahmotshëm që kemi premtuar, është vetë origjina jonë, e cila, na ysht në një gjendje detyruese për të dëshmuar me interes dhe konsideratë, atë që është e themeltë e ekzistencës sonë, atë që është vetë sublimja e shpirtit të qëndresës ballë rrëmeteve dhe ekspansioneve, fatkobeve dhe zezonave që na ndërseu koha, të cilave i bëmë ballë. Dhe kjo nuk ishte më pak se çdo kacafytje e gjakësim tjetër që na përfshiu në një ngulm mbijetese, në atë që ishte për ne betim e besë.

Siç shkruante At Gjergj Fishta në parathënien e Kanunit të Lekë Dukagjinit, kundërshtarët e kombit shqiptar dhe shumë “pedanta vendas e muhaxhirë të shtetit shqiptar”, Kanunin e mbajnë si ligj barbar dhe popullsinë ku Kanuni kishte vlerë juridike, për njerëz të egër. Theksimi i hakmarrjes për të treguar barbarinë e një kombi nuk qëndron dhe nuk tregon egërsinë e shpirtit të një populli. “Të marrunit e gjakut buron prej mndorjevet të jashtme e prej të metave t’organizimit shoqnuer të nji kombi, e jo gjithmonë prej gjejes shpirtnore të tij”.

Kësisoj ne jem gatue e kësiudhësh e kemi patur shtegun për të ardhur derimkëtu, dhe është hyjnore të ngresh zërin dhe grushtin, të brofësh në këmbë e të tendosesh në sëmbim, të tregosh me zë e me zemër se ka një akt fisnik që e ka shtegtuar rrugëtimin në rrëmet e në turbullim dhe ai është shpirti i të drejtës blatuar në vetë shenjtërinë e drejtësisë. Në ka një komb që ka vlerësuar si parësore të drejtën, ai të hyjshme këtë sublime, ai është populli shqiptar, të cilit në ndërkohje prej krejtçkasë, atij i interesoi ligjësia, t’jetuemit në të drejtë, pa i hy në hak as Zotit as robit. Aq ishte ky postulat sa u bë histori besimi, u shndërrua në atë që besonin dhe gatiteshin t’i blatoheshin kësaj lartësie sublime si një procesioni të shenjtë.

– E ekzagjeruar kjo?
– Jo aspak!

Ishte vetë jeta jonë, ishte ajo që u gatua dhe u desh kohje të pranohej, duke u ndeshur gjithqysh kundërshtishë e keqdëshirimesh trajtuese. Kësodoresh vjen në një ngutje për çfarë tregon vetë Valentini, njëri nga studiesit më të thellë dhe më kontribues në fushën e e së drejtës tonë kanunore, sipas të cilit: “Shqiptarët – shkruan ai janë një popull i çuditshëm. Të huajve u duket se kanë një tërësi ligjesh e parimesh që kundërshtojnë njëra-tjetrën, konflikte të pashërueshme, grindje të brendëshme ku ndryshimet fetare, rajonale dhe kulturore, nxisin impulse të papërmbajtshme shkatërruese, mirëpo pas kësaj, kur bëhen gati të shprehin një gjykim negativ mbi mundësitë e mbijetesës kombëtare, vërejnë se si shpërthen papritmas prej thellësive të shpirtit të tij një ndjenjë e fortë vëllazërimi që të shtang e të magjeps….

Një libër nuk mund ti thotë të gjitha, as “Shqipëria një histori e mentaliteti juridik” i Ndriçim Kullës nuk merr përsipër ta bëjë këtë, por ai rreket të qartësojë në një masë të konsiderueshme, se cila ishte marrëdhënia e shqiptarëve me të drejtën. Pavarësisht folklorizmave e retorikës bisedore, tjetërsimeve dhe ekzagjerimeve, keqkuptimeve dhe keqinterpretimeve, bartjeve të copëzuara prej një kujtese joefikase, prirjeve për t’i shndërruar në legjenda dhe neglizhencave për të mos i marrë në konsideratë, injorancës dhe manipulimit prej rrufjanëve keqdashës, e drejta shqiptare për të drejtë është vetë tharmi me të cilën ky identitet u ngjiz.

Edhe pse turravrap për të ikur ose për të mos i marrë në konsideratë, la si një damkë më shumë se si një ligjësi, Kanunin e Lekë Dukagjinit, e vërteta e mbështetur në fakte, realja e sendërtuar përmes një dashamirësie që fatmirësisht pati idhujtarë të devotshëm, bëri të mundur që të argumentojë se rrugëtimi shqiptarëve në histori ishte i mbështetur mbi baza të forta juridike. Më shumë se shkenca e së drejtës, identitetin tonë fisnik e udhëpriu instinkti i të drejtës, ligji i besimit te drejtësia. Sepse ne e kishim në gjak drejtësinë, siç patëm besën dhe guximin për t’u ndeshur me zemër e me shpirt për diçka që në ne ishte besim i pikuar nga lart.

Për një dritëpërshkueshmëri në thellësinë më të errata të njohjes, studiuesi dhe publicisti, Ndriçim Kulla sjell, “Shqipëria një histori e mentaliteti juridik”. Kësisoj ai sjell një tjetër monument të përkatësimit tonë identitare. Një tjetër kreshtë e vetëdijësimit të vlerave dhe traditave sonë, lartëson në eterin e asaj me të cilën përfaqësohemi.

Të shkruante një biografi për mentalitetin juridik shqiptar nuk është se ka qenë një ëndërr në sirtar e Ndriçim Kullës. As që e shkonte ndërmend 20 – 30 vite më parë, madje as me fantazinë e tij nuk kishte shkuar pranë një projekt i tillë të cilin ta kishte ushqyer në heshtje. U deshën kohje, që përmes leximeve dhe botimeve të tij, punës së vullnetshme kërkimore dhe shkencore, si autor librash dhe botues, të kalonte nëpër duar veprat e mendimtarëve shqiptarë sidomos ata të ndaluar, të zbardhte veprën dhjetëra vëllimshme të albanologut italian me fame botërore At Giuseppe Zef Valentini, që më në fund të merrte ngacmimin e duhur për të shkruar një libër të tillë që i vlen shumë kulturës dhe studimeve shqiptare.

Duke vlerësuar si të rëndësisë prioritare qartësimin e asaj që bart në vetvete ky kulmim komunikimi dhe iluminizmi, sjell çfarë vetë Ndriçim Kulla mendon, çfarë ai kumton kësisoj në këtë qasje për të kërkuar interesim dhe vëmendje. Sipas tij, “Ky libër më tepër vjen si një zgjatim në raport me tërë punën që unë kam bërë, si studiues dhe hulumtues i literaturës së mendimit shqiptar, sidomos atij mendimi që ka qenë kryesisht i ndaluar nga sistemi komunist për arsye politike.”

Për Ndriçim Kullën “Shqipëria një histori e mentaliteti juridik”, është nga librat më vitegjatë që puna hulumtuese dhe leximet e shumta e kanë mbushur me informacion, por gjithashtu edhe me një yshtje për ta konsideruar dhe trajtuar si të një vlere prioritare ofrimin për lexuesin dhe kryesisht hulumtuesve, këtë kontakt, këtë tërësi informacioni, i cili rreket të sqarojë shumë gjëra, të saktësojë shumë pamjaftueshmëri, të ballafaqojë faktet dhe të dhënat, si dhe të sjell gjithë traditën tonë të kohëpaskohëshme për të drejtë, në një libër. Autori e ka konsideruar dhe vlerësuar këtë vepër si më të rëndësishmen e krejt kolanës së tij dhe kjo për arsyen e vetme se ky nuk është një libër, është vetë historia mentalitetit juridik shqiptar, mënyra se si ata bënë drejtësi edhe kur u mungonte gjithçka, por jo e drejta për të bashkëjetuar me drejtësi, si shprehje e një shpirti civilizues

“Për dekada me radhë gjatë leximeve dhe studimeve të mia me objekt shpesh edhe të pa përcaktuar jam “detyruar” që me dashje ose dashje të prekja gjurmët e mentalitetit juridik shqiptar. Që nga thellësia e shekujve, madje edhe deri para kohëve mesjetare kur nuk kishte kurrfarë informacioni edhe për Evropën e cila sapo kishte filluar të zgjohej ngadalë-ngadalë vijnë gjurmët e qarta të këtij mentaliteti. Përtej krrau-krraut të sorrave që nxijnë dhe fshijnë gjithçka ku, në biseda të ndryshme madje edhe në debatet publike, se ne qenkesh se jemi një popull pa trashëgimi qeverisëse dhe juridike dhe se kemi jetuar gjithmonë pa ligje dhe pa rregulla më rikthenin thirrje zgjimi dhe me argumenta të kundërta të këtij trishtimi të krijuar ,se ne jemi popull me koncept të qartë juridik.” aartëson Kulla.

Duke vijuar se, “pushtimet e huaja të herë pas hershme kanë lënë pasojet e tyre shkatërruese në prishjen e rendit juridik, që kishte vendosur populli ynë për tu vetë administruar dhe bashkëjetuar.

Besa, fjala e dhënë, kodi juridik zakonor, kanunet, që nga ai i Lekë Dukagjinit, deri tek ai i Idriz Sullit, statutet, që nga ai i Drishtit deri tek ato të Shkodrës, korporatat dhe marrëveshjet e Esnafëve, kodikët e shumtë të disa qyteteve, kuvëndet i pleqësisë etj., janë dëshmi të forta mëtuese, se si paraardhësit tanë kanë rregulluar marrëdhëniet e jetës dhe të paqes sociale në jetesën e tyre. Është pikërisht kjo forcë e karakterit, kjo thelbësore e gjenezës fisnike, kjo tërësi e asaj që përcaktoi rolin tonë në histori, që specifikoi vendon e merituar në atë të drejtë, e cila ishte prioritet i bashkëjetesës, e cila mund dhe ishte e ekspozuar përballë shumë privacioneve, por nuk toleronte padrejtësinë dhe çdo përllosje e asaj që ata kosnideronin si të drejtë, si legjitime.

Libri studimor, hulumtues, ballafaques, argumentues, “Shqipëria një histori e mentaliteti juridik” i Ndriçim Kullës vjen për të mbushur një hendet të thellë dhe për të dëshmuar përmes argumenteve dhe fakteve se ne jemi një popull, i cili të drejtën ka patur ndër parshmëritë më të parshmin gjegjje të aftësisë për të bashkëjetuar dhe fisnikërimit të aktit drejtësi, njëjt për të gjithë, si në një gjykim sublim para vetë Zotit.

LAJMET KRYESORE

Të përzgjedhura

Lajmet e Fundit

Te Fundit