Home Kultura Sokol Kola, n...

Sokol Kola, një alkimist në skulpturën shqiptare (FOTO)

215
0

Nga: Albert Vataj

Gjithçka fillon aty tek fjala, te pagëzimi, “Magnum Opus”, njëjt si… n’Emën t’Atit, t’Birit e t’Shpirtit t’Shenjt… te zëshmëria e një shpirti krijues, te caku i pështjellimeve të kohëpaskohshme; të mendimeve dhe ndijimeve, të tërësisë së aftësisë sonë për të lejuar gjithçkanë të përthyhet brenda nesh, si në një prizëm. Është aty zëfillja e një energjie, që një ADN artisti, zgjon brenda vetes dhe e shndërron në fuqi, në një forcë, jo për të ndryshuar botën, por për ta lexuar atë sipas një ligjërimi magjik, sipas një kompozimi konceptual, estetikisht fina dhe artistikisht i tendosur.

Artisti del nga koha për t’i dhënë një kuptim të ndryshtë kohës, dhe e bën këtë përplasje të mendimeve dhe realitetit, tashmërinë e një gjendjeje, të këtushmen e ndijimit të linjave dhe thyerjes së formës. Ai i jep trajtë asaj që ndjen, e vesh me një kuptimsi të re atë që e thërret në vetdijësim. Zgjohet si prej një ëndrre të makshme dhe këtë shtjellë që përpin botën, ai e materializon në diçka që nuk është as materie as frymë, dhe njëherash është një aliazh metali dhe druri, një realitet që merr formë deri në shpërfytyrim. Më shumë se një çlirim për të është nevojë e ngutshme komunikimi. Gjuha që ka zgjedhur t’u predikojë botën që ai sheh, kupton dhe percepton, nuk është gjuha që ne kuptojmë, por gjuha që ne ndjejmë, është “Magnum Opus”, prekja e beftë e metamorfozës.

Krejtçfarë është ajo që ti sheh në këtë ekspozitë të skulptorit Sokol Kola, e para vetiake e një talenti që do ti shtojë Shkodrës dhe emrit lavdiplotë të këtij kryqëzimi kulturash, është “Magnum Opus”, është një lartësim përnga një eter i ndryshtë i skulpturës. Ai ka guximin e një artisti për të bërë atë që duhet dhe atë që ndjen. Skizma e tij artistike është e thellë dhe e stuhishme. Barra e përgjegjësisë është më e rëndë se pesha e përfaqësimit në një auditor që s’është i përgatitur për risi, s’ka kapacitete metabolike estetike për të bluar gurë meteorik idesh.

Nuk ka marrë lejë për të shkelur ligjësi artistike. Ka bërë art duke dëshmuar se kjo është gjithçka për të, është “Magnum Opus”, sepse ai beson te magjia e krijimit, te energjia e shndërrimit përmes prekjes së shpirtshme.
***

Gjithçka fillon aty, te “Magnum Opus”, aty… Ndoshta ky nuk është thjeshtë një emër i sajuar atypëraty, as një shtërngesë për të gjetur një tingull melodioz, që dëgjohet bukur dhe një lojë fjalësh që magjeps, është çelësi i dekodifikimit të kuptimsisë së këtyre punëve.

Pa këtë çelës, ju thjeshtë do të rendi nëpër këtë ekspozitë si nëpër një realitet somnambul. “Magnum Opus” është mendimi që na udhërrëfen në secilës punë, është përshkueshmëria e gjendjeve përmes gjërave që marrin trajtë në frymë. Kombinimi i metalit dhe drurit për të kompozuar shpërthimin e një ideje, në një intensitet mendimi, është procesi alkimik për krijimin e gurit filozofik, i cili në të gjitha trajtat e sendërtimit të tij, ka të ngurtësuar një botëkuptim, ka të përgjithmonshëm një racionale të një dimensioni të ndryshuar.

Shkasi i këtij ngulmimi komunikimi estetik të Sokol Kolës është në vetvete dhënia formë përmes krijimit të një transformimi personal dhe shpirtëror, që ka diktuar bota, jo vetëm atij si artist, por çdonjërit nga ne. Ai ka kurajën e krijuesit për ta bërë prezente, përmes shprehisë artistike atë që është realitet, atë që është tjetërsim, i cili paraprinë një ndryshimi fondamental. Ndoshta ky është një nga tingujt fillues të një kambane lajmëse, një kushtrimoreje që na kërkon të besojmë, ndoshta jo thjeshtë duke u përulur por edhe duke u bindur. Gjithçka që ai sheh në çdoditshmëri dhe e përpunon në një proces të gjatë mendimi e ngjiz me tharmin e idesë, duke e materializuar në një yshtje hermetike.

Procesi alkimit i Kolës është loja e mendjes, rrugëtimi i një hutimi nëpër një subkoshiencë që na godet, duke na përmendur dhe ballafaqur me realen përmes prishaqejfjes së formës ,që në vetvete është transformimi që në të vërtetë kanë marrë gjërat rreth nesh.
Neo-hermetizmi i “Magnum Opus”, në këtë proces alkimik të Sokol Kolës, e vesh realen e gjërave të perceptueshme vetëm përmes idesë, me një simbolikë shprehëse filozofike, ndryshueshmërinë e të cilës e gjejmë në personalen e çdonjërit nga ne, që i sheh; lapsin e lidhur nye, kitarën e futur në kafaz, nudon e shpërfytyruar, gruan e gjysëmrrobotizuar, kapsen e rrobeve të vidhosur, diven, etj. të lidhura me proceset shndërrues. Trajtimi si të tilla i gjendjeve, i gjërave, situatave, i thelbit që i rrethjen dëshirimeve tona është një ndryshim konceptual, një qasje për ta mëvetësuar përnga një vetjake shprehjeje artistike e Sokol Kolës. Përmes një simbolike të këtillë artisti guxon të ribëjë gjërat, të tregojë se si ai i sheh ato, se si koha i transformoi dhe arti i vesh me magjepsje, si në një proces alkimik, sepse “Magnum Opus” është manteli, me të cilin artisti kurorëzon një realitet që del nga shpirti i tij, si nga një fonderi emocionesh të fuqishme dhe pështjellimi të stuhishëm mendimesh.

Ndoshta për shumë nga ata që e kanë përcjellë këtë ekspozitë, si një ngjarje unike artistike, pesha prej enigme që i rrethjen të gjithë punëve të prezantuara, u ka krijuar një parehati joshjeje, i ka goditur pa mundur t’u japë ekuilibrin meditues për të penetruar përtej kësaj korace misteri. Gjithëpoaq, ky është arti, kjo është gjuha, me të cilën zgjedh të komunikojë artisti.

LAJMET KRYESORE

Të përzgjedhura

Lajmet e Fundit

Te Fundit