ANALIZA/ Interi dhe misteret e një dështimi “deja vu” në Champions League
Eliminimi i tretë radhazi në Champions League që në fazën e grupeve, është një rekord negativ për Interin që po kalon një periudhë tranzicioni. Një ditë pas dështimit në Europë, kërkohet një shpjegim, që nuk mund të ketë vetëm një fajtor. Në një grup të ekuilibruar, skuadra e Contes ripërsëriti atë që kishte ndodhur më parë me PSV apo më vonë me Real Madrid, duke gabuar në sfidat vendimtare për kalimin e turit.
A është faji i zgjedhjeve të trajnerit? A është faj i lojtarëve që nuk janë të përshtatshëm për skenën ndërkombëtare? A është faji i klubit që nuk ka ngritur një ekip në lartësinë e duhur? Apo është faji i fatit? Si gjithmonë pas një humbje, apo një barazimi, ka një komponim të të gjithë aspekteve.
Si gjithmonë në qendër të kritikave ka përfunduar trajneri Antonio Conte, i cili prej tifozëve zikaltër është sulmuar si “juventin”. 3-5-2 i tij në Europë ka dhënë pak rezultateve. Nuk ka arritur që të valorizojë më të mirën e ekipit, si Eriksen, i cili me shumë mundësi do të largohet që në janar. Skuadra ishte konkurruese si në aspektin numerik ashtu edhe kualitativ. Faji në këtë rast nuk është i klubit, që ia ka plotësuar dëshirat Contes, por klima e krijuar përreth. As të fitosh 12 milionë euro në sezon nuk të ndihmon. Për këtë arsye nuk do të ketë ndryshime në pankinë, të paktën deri në fundin e sezonit.
Shpëtimi do të ishte vetëm në rast se në fund të sezonit, Interi do të arrijë që të fitojë titullin. Çdo rezultat tjetër do të ishte një falimentim, i një projekti që u nis me shumë shpresa, por që në fakt solli shumë pak rezultate konkrete. Duke e mbyllur aventurën në Europë, mund të jetë një faktor që mund të ndihmojë zikaltërit. Duke marrë në konsideratë shumë probleme në grup, presioni, nuk do të jetë e lehtë për të kaluar një moment të tillë. Për momentin ka vetëm një qartësi, pa tituj, sezoni i ardhshëm do të nisë sërish nga zero. /Rozalb Lika-Koha Jone/

KOHA JONË SONDAZH

