“Basketboll qesharak”, trajneri i Teutës nuk i bindet shkarkimit, përfundon në polici
Një situatë sa komike po aq edhe dramatike po ndodh tek skuadra e Teutës së Durrësit, në basketboll për meshkuj. Shefi i klubit bregdetar Kreshnik Leka i ka komunikuar shkarkimin trajnerit të ekipit, Bekim Abrazhda, me motivacionin e mungesës së rezultateve, pa aftësi e tij në drejtimin e skuadrës. Po ky do të ishte një motivacion krejt i kuptueshëm për një skuadër në krizë, por kur ekipi i Teutës ndodhet aktualisht në krye të klasifikimit dhe kandidatja më potenciale për t’u ngjitur në Kategorinë Superiore. Si rëndom, gjithçka që po ndodh, ndodh vetëm në sportin shqiptar dhe jo vetëm me basketbollin. Trajneri Abrazhda komunikimin zyrtar për shkarkimin nga detyra e ka marrë në rajonin e policisë, pas një padie të paraqitur nga vetë shefi i klubit durrsak. – “Kemi zhvilluar një fazë të parë mjaft të mirë dhe jemi në krye të klasifikimit. Shefi i klubit më lajmëroi se nuk do të jem më trajner i skuadrës, idenë e tij nuk e kuptoj kur ky ekip kishte 4 vjet që ishte në fund të renditjes. Njoftimi zyrtar e morra në rajonin e Policisë pasi u njoha me padinë e shefit të klubit. Padija e tij qëndron në faktin që unë drejtoj akoma skuadrën, ndërkohë që sipas Kreshnik Lekës jam i shkarkuar.” Kundër vendimit për largimin nga detyra të trajnerit u shprehën si ndihmës trajneri i Teutës Ferdinad Hilla, po ashtu edhe kapiteni i skuadrës Ilmi Pasha, të cilët kërcënuan me bojkot të aktivitetit, nëse tekniku Bekim Abrazhda largohet nga drejtimi i ekipit bregdetar .- “Situata ndikon për keq tek ekipi, nëse nuk kthehet trajneri atëherë kemi munduar ta bojkotojmë aktivitetin, nuk është e drejtë të largohet nj trajner kur skuadra është në krye.” E vetmja notë pozitive në të gjithë këtë histori është lidhja e ngushtë mes basketbollistëve të Teutës dhe trajnerit të tyre. E pakuptimtë sesi shefi i klubit merr një nismë të tillë, kur trajneri gëzon respektin e ekipit dhe ekipi i Teutës qëndron në vend të parë. Por gjithsesi basketbolli nuk ka pse bën përjashtim nga realiteti shqiptar, ku nuk flitet as me gjuhë rezultatesh, dhe as bëhet fjalë për kontratë. Mjaftojnë “teket” e shefit dhe nga hero që ishe dje, e sheh sot veten automatikisht të shkarkuar dhe të flakur në rrugë. Nuk ka analizë, as diskutime, nuk pyetet askush tjetër. Por a kemi sport, a kemi basketboll? Mjafton “shefi”!
KOHA JONË SONDAZH

