Bllokimi i merkatos së Tiranës, reagon klubi bardheblu: Nuk kemi borxhe!
Pas lajmit se Tiranës i ishte bllokuar merkatoja nga ana e FIFA-s, për shkak të humbjes së një gjyqi me klubin e Wydad Casablanca, për sulmuesin Moktar Cisse, ka reaguar pasditen e sotme edhe vetë klubi bardheblu në faqen zyrtare dhe në rrjetet sociale.
Në deklaratë thuhet se zyrtarët e klubit po punojnë për zbardhjen e çështjes dhe theksojnë se nuk bëhet fjalë për asnjë borxh apo detyrim, por për një gjyq ku bardheblutë kanë qenë si palë e tretë në çështje.
Lajmi ka dalë vetëm ditën e sotme dhe zyrtarët e KF Tiranës theksojnë se mbeten në kontakte të vazhdueshme me FIFA-n për të kuptuar më mirë situatën dhe për të gjetur një zgjidhje.
Ja reagimi i plotë:
Klubi i Futbollit Tirana njofton se po punon në zbardhjen e çështjes së bllokimit të merkatos. Pavarësisht lajmeve që qarkullojnë, theksojmë se nuk bëhet fjalë për asnjë borxh të prapambetur. KF Tirana sqaron se bëhet fjalë për një çështje në të cilën klubi ka qenë palë e tretë. Ky lajm u bë i ditur ditën e sotme dhe klubi vijon të mbetet në bisedime me zyrtarë të FIFA-s për të zgjidhur këtë çështje. Nënvizojmë se për cdo të re apo përditësim njoftimet do të dalin vetëm nga faqja zyrtare e klubit.
KOHA JONË SONDAZH

