Buffon këshillon Mbappenë se ç’duhet të bëjë për të qenë më i miri
Portieri i PSG-së, Gianluigi Buffon, ka qenë aq i impresionuar nga Kylian Mbappe, sa beson se shoku i tij i ri i ekipit mund të bëhet një nga lojtarët më të mëdhenj ndonjëherë.
Mbappe ka shënuar 11 gola në tetë ndeshje me parizienët, këtë sezon, ndërsa e arriti kulmin në planin ndërkombëtar kësaj vere, teksa e ndihmoi Francën të fitojë Kupën e Botës 2018, duke u bërë “adoleshenti” i parë, që nga koha e Pele, që shënon gol në një finale Botërori.
Rritja e 19-vjeçarit nuk ka ndalesë dhe Buffon, i cili konsiderohet si një nga portierët më të mëdhenj ndonjëherë, nuk parashikon asnjë ndryshim të situatës.
“Nëse ai ka dëshirën për të qenë numri një, që të jetë kampion i madh, duhet të vazhdojë kështu, të punojë me përulësi për t’u përmirësuar. Ai do të ketë një karrierë të jashtëzakonshme përpara. Dhe, kur them se është i pabesueshëm, dua të nënvizoj si një nga më të mirët në histori”, tha italiani për “Canal +”.
“Ruajtja e mentalitetit është pengesa më e madhe, sepse është ende shumë i ri dhe ka përpara ndoshta edhe 15 vite karrierë. Të menduarit e duhur për një kohë kaq të gjatë nuk është e lehtë në futboll. Ajo kërkon shumë energji. Por, unë e di se ai mund ta bëjë këtë. Kylian ka forcën për ta bërë këtë”, shtoi Buffon.
KOHA JONË SONDAZH

