Butrinti i Sarandës futet “në vallen” e pretendenteve, kërkon Superioren

Kategoria Superiore është objektiv i deklaruar për ekipet e Lushnjës, Dinamos e Sopotit, që marrin pjesë në Grupin B të Kategorisë së Parë. Por elita e futbollit shqiptar duket se pretendohet edhe një nga ekip tjetër, qyteti i së cilit njihet me shumë për turizmin sesa për futbollin. Megjithatë Butrinti i Sarandës, në prag të pjesë së dytë të këtij sezoni, e ka të qartë objektivin dhe beson se mund ta fitojë rivalitetin në fund të garës. Butrinti aktualisht gjendet në vend të katërt të Grupit B të Kategorisë së Parë, vetëm pesë pikë larg Lushnjës kryesuese, me të cilën do të ketë një përballje direkte dy javë më vonë. Për trajnerin Mustafa Hysi, arritja në elitën e futbollit shqiptar është objektivi kryesor për të cilin klubi ka punuar shumë në këto dy vitet e fundit. – “Aktualisht skuadra po ecën shumë mirë dhe kjo është meritë e një projekti dy vjeçar që kemi nisur në klub, me objektiv për të luajtur në Kategorinë Superiore. Kemi një grup me 20 lojtarë shumë cilësorë, gjë që e konfirmojnë dhe rezultatet. I kemi krijuar të gjitha kushtet futbollistëve për të arritur synimin tonë dhe besoj se Kategoria Superiore nuk është më një “utopi”. Mbrojtja është pika më e fortë e Butrintit me vetëm 7 gola të pësuar, meritë e pritjeve të portierit Haxho, i cili ka luajtur më parë në Superiore dhe me Kukësin, Bylisin, Kamzën e Apoloninë. Por edhe e lojës në grup, siç shpjegon trajneri sarandiot. – “Unë jam për lojën në grup, mbrojmë të gjithë së bashku dhe sulmojmë të gjithë së bashku, dhe kjo padyshim është merita kryesore në pësimin e paktë të golave. Luajmë si një skuadër dhe kjo na lejon të kemi balancë në lojën tonë. Më pas fakti që kemi një portier si Haxho është plus, por nuk është vetëm meritë e tij. Mendoj se e gjithë skuadra deri tani ka zbatuar me përpikmëri të gjitha detyrat taktike.” Vetëm pesë pikë në transfertë nuk janë shumë për një skuadër që kërkon ngjitjen në Superiore, por gjithsesi kjo nuk e ndalon kapitenin Dhiogjen Muco që të besojë te Kategoria Superiore. – “Në transfertë nuk kemi marrë rezultatet e dëshiruara por kjo vjen dhe për faktin se na kanë penalizuar së tepërmi gjyqtarët me vendimet e tyre. Megjithatë kjo lloj tendence mund të ndryshojë. Ne nuk tërhiqemi nga objektivi kryesor, që është ngjitja në Kategorinë Superiore,” – shprehet ai. Butrinti do të presë të shtunën brenda në shtëpi Naftëtarin e Kuçovës, që mban vendin e fundit në renditje. Të besuarit e trajnerit Hysi synojnë tre pikët, duke qenë se Dinamo do të ketë një ndeshje të vështirë në kryeqytet me Tomorin, ndërsa edhe Lushnja do të luajë në transfertë ndaj Shkumbinin. Kësisoj, Butrinti mund të rikthehet këtë javë, si pretendent.

Swiss Digital Desktop Reklama
Swiss Digital Mobile Reklama

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A po e rrezikojnë pushtetin absolut të Ramës, deputetët Braçe dhe Spiropali?