Çelsi “poker” ndaj Brajton, Hazard dhe Uillian dhurojnë spektakël (VIDEO)
Çelsi rigjen fitoren pas dy barazimesh radhazi në kampionat, dhe madje dhuron dhe spektakël. Skuadra londineze ka fituar pastër 4-0 në transfertën ndaj Brajtonit.
Blutë e Londrës pas paraqitjes së dobët në Fa Cup, e kanë nisur me ritëm të frikshëm ndeshjen duke shënuar dy gola të shpejtë brenda 7 minutash. Fillimisht ishte Hazard që zhbllokoi ndeshjen që në minutën e 4-t, ndërkohë që 3 minuta më pas vjen një gol i mrekullueshëm.
Uillian bën një kombinim “alla Barcelona” me Hazard dhe Batshuai, teksa aksioni u mbyll në mënyrën më të mirë nga braziliani. Ky është dhe goli më i bukur me aksion i shënuar në këtë sezon në Premier League.
Pjesa e parë u mbyll me këtë rezultat, ndërkohë që për të parë dy golat e tjerë duhet të prisnim minutat e fundit. Hazard realizoi golin e dytë personal në minutën e 77 pas një aksioni shumë të bukur nga e majta të belgut. Për t’i dhënë vulën ndeshjes mendoi Moses, i cili shfrytëzoi më së miri një pasim në zonë. Çelsi barazon me pikë Junajtid në vendin e dytë, por “Djajtë e Kuq” kanë dhe një ndeshje më shumë për të zhvilluar. /Koha Jonë/
KOHA JONË SONDAZH

