Como tenton afrimin e mesfushorit të Juventusit
Como po përgatitet për një sezon me ambicie të reja në arenën europiane dhe kjo pritet ta detyrojë klubin italian të zgjerojë organikën aktuale, e cila konsiderohet ende e kufizuar për ritmin dhe kërkesat e kompeticioneve ndërkombëtare.
Sipas raportimeve të medias sportive italiane La Gazzetta dello Sport, drejtuesit e Comos kanë vënë në shënjestër mesfushorin e Juventus, Fabio Miretti, i cili shihet si një përforcim ideal për repartin e mesfushës.
Futbollisti i lindur në vitin 2003 vlerësohet shumë nga trajneri Cesc Fàbregas, i cili aktualisht përballet me mungesa numerike në mesfushë, veçanërisht pas përfundimit të kontratës së Sergi Roberto. Miretti konsiderohet profili i duhur për të sjellë energji dhe cilësi në repartin qendror, ndërsa mund të ofrojë fleksibilitet taktik për projektin e klubit.
Një tjetër arsye që e bën operacionin tërheqës për Comon lidhet me rregulloret e UEFA-s, të cilat detyrojnë klubet të përfshijnë në listën europiane futbollistë të formuar në Itali ose në akademitë kombëtare. Transferimi i Mirettit do t’i mundësonte klubit të plotësonte strategjikisht një nga vendet e rezervuara për lojtarët e rritur në sistemin italian të futbollit.
Nga ana tjetër, Juventusi raportohet se e vlerëson kartonin e lojtarit rreth 15 milionë euro dhe është i hapur për një shitje përfundimtare, pas një sezoni jo të lehtë për mesfushorin e ri.
Mes dëmtimeve të verës dhe hapësirave të kufizuara nën drejtimin e trajnerëve Igor Tudor dhe Luciano Spalletti, Miretti regjistroi 30 paraqitje, një gol dhe tre asistime, pa arritur të gjejë vazhdimësinë e dëshiruar.
KOHA JONË SONDAZH

