Daja: Ndeshje e veçantë me Skënderbeun, por i di pikat e tyre të dobëta
Ilir Daja do të sfidojë nesër Skënderbeun, skuadër të cilin e ka drejtuar për disa sezone me objektivin për të rrëmbyer pikë në Korçë.
“Nuk do të jetë një transfertë si të gjitha fushat e tjera, pasi është hera e parë që unë rikthehem në Korçë si kundërshtar pas largimit. Shkoj si kundërshtar, si trajner i Flamurtarit, por i kemi idetë e qarta që nëse duam të marrim rezultat pozitiv, duhet të djersimë shumë dhe të jemi të fortë nga ana psikologjike, për të menaxhuar ato vlera që ne kemi.
Sjellja e tifozëve? Hera e fundit që kam qenë në Korçë ka ndodhur më 27 maj. Tifozët më kanë pritur jashtëzakonisht mirë. Më 30 maj kemi qenë në Elbasan dhe kam pasur mbështetjen e tyre, ndërsa këtë herë shkoj si trajner i Flamurtarit. Me korrektësinë më të madhe më përfundoi kontrata atje dhe më pëlqente një sfidë e re dhe jam i kënaqur me zgjedhjen që kam bërë.
Është një fushë shumë e vështirë sa i përket anës sportive. Është një ekip që deri më tani ka treguar se ka një formë të mirë sportive, edhe pse vjen pas humbjes me Laçin. Besoj se ata do bëjnë maksimumin për të mos pësuar dy humbje rresht, por që dhe ne kemi objektivat tona. Duke e vlerësuar maksimalisht Skënderbeun, do të gjejmë ato pika jo të forta që ata kanë, me të cilët kemi punuar këto dy ditë, për të arritur qëllimin që kemi për të marrë pikët tona në Korçë”, deklaroi Daja.
KOHA JONË SONDAZH

