De Biazi: E ardhmja ime? Shpresoj te Reali!
Ish-trajneri i përfaqësueses shqiptare, Xhani De Biazi, do të kalojë disa ditë në Tiranë me ftesë të FSHF-së pasi është një prej të ftuarve të nderit për mbrëmjen e fundvitit. Tekniku është ende në kërkim të një sistemimi të ri, pas eksperiencës së dështuar te Deportivo Alavesh, por me batutë përgjigjet se pret të marrë drejtimin e Real Madridit.
“Sa i përket të ardhmes, shpresoj të drejtoj Realin e Madridit”, tha ai duke qeshur, para mikrofonit të “Top Channel” ndërsa vlerësoi këtë vit që mbyllet si një prej atyre që mund të shihen si me dy fytyra.
“Ky ka qenë një vit me dy fytyra. Në mesin e tij vendosa të ndërpres marrëdhënien me kombëtaren shqiptare dhe më pas kisha një dëshirë të madhe të kthehesha në kampionatin spanjoll. Nuk m’u dha koha që të punoja ashtu si unë di të punoj dhe pas dy muajsh gjithçka përfundoi, por më mirë kështu. Në jetë ndodh edhe kështu, e mora shkarkimin me shumë qetësi dhe jam në pritje të bëj dicka më të rëndësishme”, vijoi ai.
Në vend të tij tani në stolin kuqezi ulet Kristian Panuçi dhe për De Biazin kjo është një zgjedhje e mire, me bindjen se rrugëtimi pozitiv do të vazhdojë pasi i ka pëlqyer ajo që ka parë në lojën e ekipit.
“Mendoj që Panuçi i ka mundësitë dhe eksperiencën për të bërë gjëra të mira me këtë kombëtare. I kam parë të gjitha ndeshjet e kombëtares dhe më kanë pëlqyer shumë, sidomos ndeshja me Turqinë. Mund të them se disa lojtarë kanë patur rritje të dukshme dhe ajo që ka rëndësi është vazhdimësia. Për pjesën tjetër unë nuk futem asnjëherë në punët e të tjerëve, nëse do të duhet ndonjë ndihmë jam gati ta jap”, deklaroi De Biazi.
KOHA JONË SONDAZH

