Domgjoni “divorc” me Tiranën, gati kalimi në kampionatin zviceran
David Domgjoni largohet nga Tirana. Qendërmbrojtësi e ka mbyllur dje përfundimisht me bardheblutë dhe ka marrë rrugën për në Kosovë. Lojtari 20-vjeçar mësohet se pati kërkuar “divorcin” e parakohshëm nga klubi kryeqytetas dhe pas negociatave të vazhdueshme, ka marrë “viston”.
Kontrata e tij skadonte më 30 qershor të 2019, ndaj vetëm me konsensus, mund të ikte nga 24 herë kampionët e vendit. Gjatë paradites, ai është takuar me presidentin, duke marrë ‘Ok’ final dhe për këtë, mungoi në dy seancat e zhvilluara dje. Mësohet se lojtari do të transferohet në Zvicër, e megjithatë ende nuk dihet se në cilin ekip apo kategori.
Një gjë është e sigurt, që nëse ky operacion realizohet me sukses, atëherë klubi do të arkëtojë një shumë të hollash. Në pritje të zhvillimeve nga Zvicra, mbrojtësi, i cili sezonin e fundit luajti 13 ndeshje me bardheblutë, mund t’i bashkohet edhe ekipit të vendlindjes për stërvitje.
KOHA JONË SONDAZH

