Ekuadori, laboratori i mafias shqiptare për trafikun e kokainës. Nga Guayaquil drejt Evropës, zbardhet skema
Klanet shqiptare ishin ndër të parat që nxitën trafikimin e kokainës nga Amerika Latine drejt Evropës. Në numrin e ri të DP Focus 20, Arturo Torres heton mënyrën e veprimit të këtij grupi kriminal.
Tre faktorë ishin vendimtarë që mafia shqiptare dhe klanet e tjera ballkanike ta shndërronin Ekuadorin në një inkubator të krimit transnacional: dobësia institucionale dhe korrupsioni i fshehtë në agjencitë e kontrollit; një ekonomi e dollarizuar me kontrolle ende të dobëta kundër pastrimit të parave; si dhe rritja e ndjeshme e prodhimit të kokainës dhe e kërkesës për të në Evropë.
Në Evropë, tregu i kokainës është katërfishuar gjatë 15 viteve të fundit. Gjatë kësaj periudhe, pothuajse çdo vend i Amerikës Latine është bërë një hallkë e rëndësishme në tregtinë e kokainës, qoftë si prodhues, përpunues, transportues apo strehë për pastrimin e parave. Rajoni tashmë prodhon më shumë se dyfishin e sasisë së kokainës që prodhonte një dekadë më parë. Kultivimi i kokës në Kolumbi, burimi i pjesës më të madhe të kokainës në botë, është trefishuar, duke arritur në rreth 3.000 tonë në vit, sipas të dhënave të OKB-së.
Fillimet
Rreth vitit 2009, shqiptarët e parë mbërritën në Ekuador. Ata po ndiqnin udhëzimet e mafias italiane, ’Ndrangheta, e cila kërkonte qasje të drejtpërdrejtë te blerjet e kokainës në Kolumbi për ta shpërndarë më pas në Evropë.
Shqiptarët zbuluan një sërë avantazhesh, veçanërisht në qytetin bregdetar të Guayaquilit, i cili kishte një rrjet të fuqishëm prej tetë portesh. Shumica e këtyre porteve shërbenin për eksportin e bananeve dhe produkteve të tjera drejt Evropës dhe kontinenteve të tjera. Ata kuptuan se eksportet, për shkak të vëllimit të madh të mallrave të transportuara në kontejnerë, do të ishin një mjet ideal për trafikimin e drogës.
Në atë kohë, hetimet policore ishin përqendruar te dërgesat e drogës që mbërrinin përmes plazheve dhe porteve të vogla të Manabit dhe Esmeraldas, duke përdorur skafe të shpejta që drejtoheshin drejt Amerikës Qendrore dhe Shteteve të Bashkuara.
Karteli Sinaloa ishte dominues, pa konkurrentë në transportimin e drogës që trafikantët kolumbianë ua shisnin përmes Ekuadorit me rrugë tokësore, detare dhe ajrore. Partneri i tyre në Ekuador, përgjegjës për transportin dhe logjistikën, ishte banda Los Choneros.
Në vitin 2007, Rafael Correa sapo kishte ardhur në pushtet dhe mori një sërë vendimesh që, sipas autorit, do të dobësonin në mënyrë të pakthyeshme përpjekjet e Ekuadorit kundër narkotikëve.
Në vitin 2008, ai ndërpreu zyrtarisht marrëdhëniet me Kolumbinë dhe, de facto, edhe me Shtetet e Bashkuara. Shkak ishte bombardimi i kampit të FARC-ut në Angostura nga avionët kolumbianë.
Kjo çoi në ndërprerjen e menjëhershme të shkëmbimit të informacionit, bashkëpunimit dhe operacioneve të përbashkëta kundër grupeve të trafikut të drogës në kufi. Correa shpërbëri sistemet e inteligjencës që bashkëpunonin me Kolumbinë dhe SHBA-në.
Ai hoqi gjithashtu përgjegjësinë për kontrollin e porteve nga Marina dhe ia transferoi atë Ministrisë së Transportit. Që prej atëherë, mbikëqyrja detare mbeti pa një drejtues të qartë.
Goditja e fundit, sipas tekstit, ishte miratimi në Kushtetutën e re i konceptit të “Qytetarisë Universale”, i cili lejonte hyrjen e të huajve në vend pa vizë dhe pa kontroll të historikut penal. Disa muaj pas fillimit të këtyre hyrjeve, rrjete të krimit të organizuar nga Rusia, Lindja e Mesme dhe Kina hapën rrugë të reja për trafikimin e qenieve njerëzore drejt SHBA-së.
Mënyra e veprimit
Megjithëse plani fillestar i shqiptarëve ishte të vendoseshin në Kolumbi, ata preferuan ta testonin formulën e tyre kriminale në Ekuador. Guayaquili u bë laboratori i tyre kryesor.
Në ato vite të para, në qytetin port mbërriti Arber Çekaj, një shqiptar. Ai themeloi një kompani eksporti bananesh, të cilën e përdori për të fshehur lëndë narkotike në anijet e ngarkuara me mallra, duke vepruar si përfaqësues i mafias italiane ’Ndrangheta.
Në të njëjtën periudhë, në Ekuador mbërriti edhe Dritan Gjika — një figurë e rëndësishme e mafias shqiptare. Në vitin 2012, në Ekuador mbërriti Dritan Rexhepi, i konsideruar si një nga drejtuesit pionierë të kartelit transnacional shqiptar Compañía Bello.
Fillimisht ata qëndronin një deri në dy muaj dhe më pas vendoseshin përfundimisht. Ata siguronin dokumente identiteti të falsifikuara nga Gjendja Civile ose paguanin për leje qëndrimi të përhershme apo viza investitori. Gjithashtu, martoheshin me gra ekuadoriane, duke i paguar ato për të marrë pjesë në këtë skemë.
Përmes bashkëpunëtorëve vendas, ata identifikuan boshllëqet në sistemin korporativ dhe bankar. Filluan të blinin dhe të themelonin dhjetëra kompani eksporti frutash dhe prodhimesh deti, duke përdorur fasadën e sipërmarrësve të rinj.
Kjo u mundësoi të depërtonin relativisht lehtë në elitën shoqërore të Guayaquilit, e njohur për frymën e saj të fortë sipërmarrëse. Ata mësuan shpejt spanjishten, si edhe gjuhë të tjera. Përmes kësaj strategjie krijuan kontakte dhe u afruan me biznesmenë, politikanë, oficerë të lartë të policisë dhe marinës, gjyqtarë dhe prokurorë.
Kështu nisi ajo që autori e përshkruan si “infektimi” i institucioneve.
Depërtimi në institucione
Në mënyrë të fshehtë, këto struktura ballkanike depërtuan në institucionet ekuadoriane. Objektivi i tyre ishte të merrnin kontrollin e pjesëve kyçe të zinxhirit të furnizimit me kokainë dhe të vërshonin tregun evropian me drogë, një treg që gjeneron më shumë se 12 miliardë dollarë në vit.
Këto fitime u mundësuan atyre të diversifikonin burimet e të ardhurave, duke mos u mbështetur vetëm te trafiku i drogës, por duke investuar të ardhurat edhe në aktivitete të tjera, si nxjerrja e paligjshme e arit.
Sipas vlerësimeve zyrtare, të mbështetura nga presidenti Daniel Noboa, ekonomitë kriminale, të udhëhequra nga mafiet ballkanike, gjenerojnë aktualisht rreth 26 miliardë dollarë të ardhura, ekuivalente me rreth 20% të PBB-së së vendit.
Kjo sipërmarrje kriminale fitimprurëse ka pasoja të rënda. Që nga viti 2021, pasiguria në Guayaquil është përshkallëzuar jashtë kontrollit dhe, me kalimin e viteve, është përhapur në qytetet kryesore të vendit, përfshirë Kuiton.
Rreth 50 banda veprojnë aktualisht në Ekuador. Shumë prej tyre ofrojnë shërbime për transportin dhe magazinimin e kokainës në Ekuador për kartele të ndryshme, jo vetëm për ato ballkanike, por edhe për Sinaloa dhe Kartelin Jalisco Nueva Generación.
Përplasjet për kontrollin e territoreve gjithnjë e më të mëdha për aktivitetet kriminale kanë nxitur dhunën.
Në janar 2024, qeveria shpalli një “gjendje lufte” kundër grupeve kriminale, por pa një plan të qartë për ta përmbysur këtë prirje. Shkalla e vrasjeve u rrit nga 6 në 50,9 vdekje të dhunshme për 100.000 banorë ndërmjet viteve 2019 dhe 2025.
Në vetëm katër vjet, Ekuadori u shndërrua në vendin më të dhunshëm dhe më të pasigurt të Amerikës Latine.
Në mes të kësaj krize, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian e rritën ndjeshëm bashkëpunimin, nga këndvështrime të ndryshme, por plotësuese.
Qasja evropiane është më gjithëpërfshirëse. Ajo synon të trajtojë shkaqet strukturore të krimit përmes trajnimeve, mbështetjes për programet sociale dhe shkëmbimit të inteligjencës.
SHBA-ja ruan angazhimin e saj për t’u ofruar agjencive të zbatimit të ligjit pajisje dhe infrastrukturë, si dhe mbështetje informative dhe të inteligjencës.
Megjithë të gjitha përpjekjet, me theksin te masat ndëshkuese, rritjen e pranisë ushtarake dhe policore në rrugë dhe arrestimet e vazhdueshme të anëtarëve të bandave, shteti mbetet i bllokuar në fazën e reagimit dhe frenimit.
Ai ka humbur kapacitetin për parandalim dhe për të rimarrë realisht territoret gjithnjë e më të mëdha ku mbizotëron qeverisja kriminale.
Deri tani, qeverisë i mungon një strategji efektive dhe shumëdimensionale për kapërcimin e krizës së sigurisë, e cila është problemi kryesor që po përballet Ekuadori dhe që kërcënon edhe mbijetesën e tij demokratike.
Artikull nga media latinoamerica21.com
KOHA JONË SONDAZH

