Elbasani shkatërron Dinamon dhe mban gjallë shpresat për titull
Elbasani merr një fitore të madhe dhe shumë të rëndësishme në fazën Final Four, duke mposhtur me shifrat bindëse 3-0 Dinamo City-n dhe duke mbajtur plotësisht të hapur garën për titullin kampion.
Verdheblutë zhvilluan një ndeshje dominuese, duke përfituar edhe nga superioriteti numerik që herët në takim. Në minutën e 20-të, Dinamo mbeti me një lojtar më pak pas kartonit të kuq të Boubacar Goudiaby, i ndëshkuar pas një ndërhyrjeje ndaj Manellarit.
Vetëm pak minuta më vonë, Elbasani përfitoi menjëherë nga epërsia numerike. Në minutën e 25-të, Blaise Tsague zhbllokoi rezultatin me një goditje me kokë pas asistit të Loukilit, duke ndezur festën e tifozëve verdheblu.
Sulmuesi ishte protagonist absolut i pjesës së parë, pasi në minutën e 27-të realizoi edhe golin e dytë personal, duke përfituar nga një gabim në prapavijën dinamovite dhe duke e çuar rezultatin në 2-0.
Në fundin e pjesës së parë, Elbasani vulosi praktikisht triumfin. Ibrahima Diallo shfrytëzoi një top të kthyer nga portieri Teqja dhe realizoi golin e tretë, duke mbyllur llogaritë që para pushimit.
Në pjesën e dytë ritmi i lojës ra ndjeshëm, me Elbasanin që administroi me qetësi avantazhin dhe nuk lejoi surpriza. Falë këtij triumfi, Elbasani ngjitet në kuotën e 34 pikëve, po aq sa kryesuesit e Egnatias, duke e shtyrë verdiktin e titullit për javën e fundit.
Më 31 maj, gjithçka do të vendoset në dy sfidat vendimtare: Vllaznia-Elbasani dhe Egnatia-Dinamo. Skuadra nga Rrogozhina mban ende fatin në duart e saj, pasi me një fitore do të sigurojë trofeun pavarësisht rezultatit tjetër, ndërsa Elbasani do të kërkojë sukses ndaj Vllaznisë dhe një hap fals të Egnatias për të ëndërruar titullin kampion.

