Elis Bakaj braktis Kukësin, transferohet në Bjellorusi për 100 mijë euro
Elis Bakaj shumë shpejtë do të nisë një aventurë të re jashtë Shqipërisë. Pas eksperiencave në Rumani, Ukrainë, Izrael e Kroaci, golashënuesi më i mirë i Kategorisë Superiore në këtë sezon ka arritur akordin për transferimin në mes të sezonit në kampionatin bjellorus te skuadra e Shaktjor Soligorsk.
Autori i 12 golave në këtë kampionat me Kukësin është bindur nga oferta e klubit bjellorus dhe duke qenë se në këtë shtet merkato e futbollistëve është ende e hapur pasi sezoni i ri fillon pas disa ditësh, Bakaj ka vendosur të lërë përfundimisht verilindorët.
Nga shitja e 30-vjeçarit, Kukësi ka arkëtuar më shumë se 100 mijë euro një shifër e konsiderueshme kjo për një futbollist që në muajin qershor do të mbushë 31-vjeç.
Vetë Bakaj te Shaktjor Soligorsk një skuadër që në Bjellorusi kërkon të rivalizojë Bate Borisov në garën për titullin kampion, pritet të përfitojë rreth 15 mijë euro në muaj.
KOHA JONË SONDAZH

