Erjon Tola tërhiqet nga Olimpiada e Kores së Jugut?
Pak orë pasi mori në pjesë në ceremoninë e dhënies së flamurit nga Presidenti i Republikës, skiatori Erjon Tola, një nga dy sportistët që siguruan kualifikimin me normë deklaroi se nuk do të shkojë në Olimpiadën Dimërore që nis më 9 Shkurt në Korenë e Jugut. Në një intervistë për Televizionin Klan ai ka thënë se Federata Shqiptare e skive nuk ka marrë përsipër të paguajë trajnerin e tij italian.
“Pasi Federata zgjodhi të mos paguajë trajnerin tim atëherë në këtë pikë është e kotë të përfaqësoj Shqipërinë në Olimpiadë”.
Nga ana tjetër Shkëlqim Mema u shpreh se Federata Shqiptare e Skive e drejtuar prej tij nuk i ka mundësitë financiare dhe se kjo çështje duhet të ishte diskutuar më parë.
Ndërkaq presidenti i KOKSH, Viron Bezhani shprehu bindjen se Tola do të marrë pjesë në Olimpiadë. Sipas tij, skiatori është stërvitur prej kohësh për këtë aktivitet madje ai ka nënshkruan një kontratë me KOKSH për pjesëmarrjen. Bezhani thotë se KOKSH e ka mbështetur edhe financiarisht Erjon Tolën, duke shpresuar që ai të marrë edhe rezultate në garat që do të zhvillojë. Erjon Tola është skiatori më me përvojë shqiptar që kualifikohet rregullisht në Lojërat Olimpike Dimërore prej Torino 2006.
KOHA JONË SONDAZH

