Ervin Baku, nga gazetaria sportive synon një vend në Komitetin Ekzekutiv të FSHF
Më 7 shkurt Asambleja e Federatës Shqiptare të Futbollit do të mblidhet në Durrës për të zgjedhur presidentin e ri, por dhe për të zgjedhur Komitetin e ri Ekzekutiv. Kujtojmë që në garë për këtë pozicion jashtë shumë kandidatë, teksa përveç Presidentit, do të zgjidhet një Zv/President dhe 8 anëtarë të Komitetit Ekzekutiv. Një ndër figurat që do të jetë në garë për këtë pozicion është edhe gazetari i njohur, Ervin Baku.
Për 17 vite ai ka qenë i angazhuar pranë institucioneve europiane në Strasburg e Bruksel, por prej 7 vitesh ai i është rikthyer sërish pasionit të tij të vjetër, sportit. Baku është një gazetar shumë aktiv në mediat sportive, teksa shpesh herë e shohim në panele televizive për të dhënë mendimin e tij për zhvillime të ndryshme sportive. Eksperiencën e fituar në Europë, ai kërkon që ta vërë në shërbim të institucionit më të rëndësishëm të futbollit në Shqipëri. Baku është i pranishëm thuajse në të gjitha ndeshjet si në vendin tonë, ashtu edhe në transfertë. Ai u bë protagonist në një episod në transfertën e Shqipërisë ndaj Maqedonisë, teksa ishte një ndër të paktët gazetarë që udhëtoi në Maqedoni për ta ndjekur nga pranë ndeshjen.
Para fillimit të takimit, zyrtari i federatës maqedonase ka kërkuar që të hiqet flamuri shqiptar nga stadiumi, pikërisht në vendin ku ishin ulur gazetarët. Pavarësisht përpjekjeve të forcave të sigurisë, flamuri shqiptar nuk është hequr nga stadiumi, pasi nuk është lejuar nga gazetarët shqiptarë. Ervin Baku, ishte mjaft aktiv në këtë rast duke ndaluar heqjen e flamurit tonë. Anëtari i Komitetit Ekzekutiv drejton punët e FSHF-së në përputhje me këto statute dhe siguron zbatimin e statuteve të FSHF-së. Gazetari sportiv ka pasur bashkëpunime me disa institucione të rëndësishme evropiane duke shërbyer si një urë lidhëse me televizionet në Shqipëri, teksa këtë eksperiencë ai do të përpiqet që ta shfrytëzojë edhe në Federatën Shqiptare të Futbollit. Ndryshe nga kandidatët e tjerë, ai beson se ka avantazh faktin se është një njohës shumë i mirë i futbollit shqiptar, dhe i mënyrës së si funksionojnë institucionet pranë tij.
Kujtojmë që Komiteti Ekzekutiv është organi më i lartë kolegjial dhe si i tillë në krye të saj zgjidhen persona që kanë eksperienca të ndryshme në fushën e sportit. “Gazetaria është jeta ime dhe pasioni për të, do të shuhet vetëm kur të shuhem unë. Nuk e ndërroj këtë profesion me asnjë tjetër”, ka thënë Baku para disa vitesh, por tashmë ai synon që të marrë një detyrë të re, e cila sigurisht do ta mbajë disi larg këtij profesioni, por që gjithmonë do ta mbajë të lidhur me të, pasi në fund të fundit misioni i tij lidhet me futbollin shqiptar.
KOHA JONË SONDAZH

