Europa League/ Fitojnë Roma dhe Napoli, Milani ndalet ndaj Lille
Roma triumfoi me rezultatin 0-2 në transfertën rumune ndaj Cluj dhe siguroi kalimin për në fazën e 1/16-ave të Ligës së Europës, teksa tashmë do të duelojë për vendin e parë me zviceranët e Young Boys.
Fitore me të njëjtat shifra mori edhe Napoli në shtëpi përballë kroatëve të Rijekës, duke shkuar në kuotën e 9 pikëve, por pa e prerë ende biletën për në raundin tjetër.
Në një mbrëmje shumë të ndjerë për shkak të ndarjes nga jeta të legjendës argjentinase, por edhe napolitane, Diego Armando Maradona, “të kaltrit” zbritën të gjithë në fushë me fanellën me numër 10 dhe emrin e “El Pibe D’Oro”-s mbi shpinë.
Tottenham fitoi pa problem me rezultatin e thellë 4-0 ndaj bullgarëve të Ludogorets, ndërsa skocezët e Rangers shpërdoruan avantazhin e dyfishtë ndaj Benficës, pasi nxorën topin dy herë nga rrjeta në minutat e fundit dhe nuk shkuan përtej barazimit 2-2.
Më herët, Lille dhe Milan lanë gjithçka të hapur përsa i përket çështjes së kualifikimit në grupin H të Europa League, pasi nuk shkuan më shumë se një barazim 1-1 në përballjen e dytë mes tyre, e vlefshme për raundin e 4-t të ndeshjeve në grupe. Golit të Castillejos për Milanin në fillimin e pjesës së dytë iu kundërpërgjigj Bamba.
KOHA JONË SONDAZH

