Flet Bogdani: Shqipëria s’ka bomber, Kosova më lart se ne
Erjon Bogdani mund të komentojë më së miri mungesën e golit në Kombëtaren shqiptare.
Ish-trajneri i Kombëtares U-19, në një intervistë për “Panorama Sport”, komenton vendimin për t’i dhënë një tjetër shans Panuccit, krahason Kombëtaren aktuale me startin e De Biazit në vendin tonë si dhe ngre alarmin për Kombëtaret e moshave.
Si u larguat nga Kombëtarja U-19, ishte shkarkim apo dorëheqje?
Nuk mund të them nëse ishte shkarkim apo dorëheqje, pasi sipas meje ishte një cikël i mbyllur. Pas dy vitesh, edhe unë kisha dëshirë për një skuadër që të kem mundësinë ta stërvit çdo ditë. Pastaj, me ardhjen e Xhemos (Xhemal Mustedanagiç) gjërat ndryshuan.
Kosova si Kombëtare, sa vështirë bëhet për Shqipërinë në përzgjedhje?
Normalisht që bëhet e vështirë dhe këtë gjë ne duhet ta kishim menduar më përpara. Me sa kam parë, tek U-17 dhe U-19, Kosova ka diçka më shumë sesa ne.
A dështoi Shqipëria në Ligën e Kombeve, si një ekip që ishte në Europian dhe u rendit e fundit me skuadra të barabarta për nga niveli?
Unë e prisja një rënie të Kombëtares pas Europianit, pasi kishte njëfarë rinovimi dhe shumë lojtarë i kemi pasur të dëmtuar. Mund të kishim bërë ndonjë ndeshje më mirë apo ndonjë pikë më shumë. Sipas meje nuk mund të thuhet dështim, pasi ishin ekipe të forta. Skocia më impresionoi, pasi edhe të rinjtë i ka lojtarë të rëndësishëm në Europë, sidomos Angli. Ishte shumë e fortë dhe meritoi të fitonte grupin.
Pse shënon kaq pak Kombëtarja? Mos vallë është edhe çështje cilësie sepse më parë ju ishit në Serinë A, por tani sulmuesit luajnë në kampionate jo kaq të forta?
Goli nuk është vetëm problem i Shqipërisë, pasi e kishte edhe Italia. Gjithsesi, fakti që shënojmë pak vjen edhe nga forma e lojtarëve. Sidomos, në vitet e fundit kemi pasur lojtarë që nuk kanë luajtur shumë apo që kanë hasur probleme me skuadrat e tyre. Si Balaj, Sadiku apo edhe Cikalleshi nuk është se kanë pasur formën optimale dhe, duke mos luajtur sa duhet në ekipet e tyre, bëhet shumë e vështirë të japësh maksimumin në një ndeshje me Kombëtaren.
KOHA JONË SONDAZH

