Gega sfidon Flamurtarin: Na pret një ndeshje e vështirë, fitojmë
Flamurtari-Partizani është takimi hapës i javës së 14-të në Superligën shqiptare. Një përballje ku pritet “luftë” e fortë sportive për shkak të objektivave që dy skuadrat kanë vendosur në fillim të sezonin. Në prag të kësaj përballjeje, trajneri i Partizanit, Skënder Gega doli në konferencë për shtyp, ku hodhi dritë në disa çështje të rëndësishme të skuadrës.
Gega: Fatmirësisht deri më tani kanë shkuar gjërat mirë kur jemi vetëm në 30% të kampionatit me 31 pikë, duhet të vazhdojmë me këto ritme. Ndeshja e radhës është shumë e fortë pasi luajmë ndaj një klubi me histori shumë të mirë, ndoshta një nga kubet më të mira të futbollit shqiptar. Jemi përgatitur për ndeshje të vështirë, por gjithçka ia lëmë fushës.
Mungesa e Alban Hoxhës?
Gega: Nuk ka sekret, por gjatë kohës nuk e shpall formacionin. Në stërvitje janë të gjithë njëlloj. Edhe Xhika është si Albani dhe kanë shumë të përbashkëta. Sot jemi përballë një sfide sepse kapiteni Hoxha nuk ka arritur të rikuperohet 100% kështu që i jepet Shansi Xhikës dhe besoj shumë te ai, pasi është lojtar me eksperiencë, person shumë pozitiv dhe do të mundohet t’ia bëjë më të lehtë skuadrës.Hoxha nuk është gati këtë javë dhe kjo është e rëndësishme dhe ne jemi përgatitur me Xhikën. Besoj se java tjetër është diçka ndryshe dhe besoj se Albani mund të jetë gati. Nëse bëhet gati, jemi numër plus, por nesër luajmë me Xhikën dhe fokusi është te kjo ndeshje.
Ndërprerja kampionatit?
Gega: Nuk kemi arsye për të humbur përqendrimin dhe për të pasur frikë nga kjo ndërprerje. Eshtë diçka që ka ndodhur me të gjitha ekipet. Ne na ka shërbyer pasi kishim 2 futbollistë të impenjuar me U21. Shkojmë të qetë dhe të kompletuar.
Golat e Hebaj me Përfaqësuesen U-21?
Gega: Jam shumë i kënaqur dhe të gjithë jemi të gëzuar që ka shënuar kundër Maltës. Prej 13 javësh jam pyetur për nevojën e një finalizuesi dhe pyke dhe gjithmonë kam shprehur se kam besim te Mensah, Hebaj, Mala e Bardhi dhe këto janë pykat që ne kemi nevojë. Besoj te Hebaj, pasi ka dhënë shenja dhe nuk është se te klubi nuk ka përkrahje. Kemi edhe shumë ndeshje të tjera dhe ai është në planet tona. Golat e Hebaj me përfaqësuesen U-21 mendoj se kanë ndryshuar opinionin tuaj si media jo opinionin tim, sepse nga momenti i parë që kam ardhur si trajner kam deklaruar që Hebaj është pjesë e projektit të klubit është vetëm 20 vjeç nuk duhet ta rëndojmë. Golat e Hebaj na kanë gëzuar të gjithëve, por edhe golat e Malës ,Mensah, Bardhit. Ky është grupi që ne kemi dhe falë këtij grupi ne jemi në vend të parë.
Ndeshja e parë e javës 14?
Gega: Edhe në të kaluarën, trajnerët kanë patur kërkesa për të ndryshuar, por kur luaj me kundërshtar direkt, nuk besoj se ka problem. Luajmë me Flamurtarin dhe është rival direkt për nivelin dhe historinë, pavarësisht pikëve. Besoj se çdo ndeshje është barometër për mua, pasi nuk duhet të shkëputemi nga vendi i parë. Jemi aktualisht kryesues, do shkojmë në Vlorë që ta mbajmë këtë vend, gjithsesi në futboll ndodh gjithçka,por kemi rrugë të gjatë për të bërë. Deri në momentin e fundit ne jemi nën presion ,nesër është ndeshja e radhës dhe ne do të mundohemi të jemi 100% të përqendruar për këtë ndeshje.
Merkato?
Gega: Pas golave të Hebajt, është zbutur pak tema e mediave ku kërkohet që Partizani duhet të ndërhyjë në merkato. Në fakt ne e dimë aty ku na dhemb dhe jemi munduar që gjatë gjithë kësaj kohe ti marrim 100% grupit. Nëse na duhet sulmues ose mbrojtës i vëmë gishtin, do të vijë momenti dhe bashkë me klubin do të biem dakord për një projekt për fazën e dytë, pse jo do ndërhyjmë dhe është diçka vetëm pozitive asgjë negative.
Shkurtaj e Ngo?
Gega: Asnjëherë nuk kam patur interes për Ngon. Në një emision Televiziv u pyeta për ata dy. Shkurtajn e njoh dhe e kam drejtuar e kam opinion pozitiv. Kurse për Ngon kemi të bëjmë me karakteristikë fizike dhe me gjatësinë që kishte, mund të ishte diçka që mund të na dëmtonte dhe nuk jemi interesuar asnjëherë. Për respekt të klubit ku është edhe për punën e kolegut që gjendet atje nuk duhet ngacmuar dhe duhet lënë aty ku është dhe nëse një ditë na nevojitet, do të ndërhyjmë.
Telushi-Ibrahimi rrezikojnë për kartona?
Gega: Unë mendoj se ata do të japin 100%., ne jemi përgatitur për çdo sfidë. Ata janë lojtarët të përgatitur dhe të pjekur e duhet të menaxhojnë. Janë lojtarë me peshë dhe ndodh gjithçka në ndeshje. E rëndësishme është që ata të mos frenohen, mos dëmtojnë ekipin pra të tërhiqen sepse rrezikojnë nga kartonët. Nëse marrin kartonë dhe nuk do jenë në derbi ne do mundohemi ti rikuperojmë dhe ti mbulojmë hapësirat që do na lenë. Ka alternative, pasi jo të gjithë janë në një nivel. Në çdo ndeshje bëjmë 3 zëvendësime dhe deri më sot 90% e grupit që kemi është aktivizuar ndonjëherë si titullar apo si rezerva. E rëndësishme është të funksionojë grupi.
Ju kënaq edhe barazimi në Vlorë?
Gega: Humbja nuk kënaq njeri dhe çdo rezultat tjetër është mire i pranueshëm në futboll. Në Vlorë shkojmë pa sekrete, shkojmë për të fituar.Nuk është aspak presion për kundërshtarin, por s’kemi rrugë tjetër. Jemi në një moment ku duhet të marrim maksimumin dhe shpresoj të kthehemi të kënaqur. Nëse diçka ndodh ndryshe, shohim nga 70% e kampionatit për të rikuperuar në ndeshjet e tjera.
Problemet e kundërshtarit?
Gega: Nuk mund të flas për problemet ekonomike të kundërshtarit dhe nuk e shoh të arsyeshme që të flasë dikush për shtëpinë. Ne e vlerësojmë me gjithë problemet që mund të ketë Flamurtari. Do shkojmë për të marrë maksimumin dhe nëse na lënë hapësira për t’i goditur, do të bëjmë të pamundurën t’ia dalim me sukses.
KOHA JONË SONDAZH

