Granit Xhaka mesazh emocionues për Arsenalin pas zyrtarizimit të titullit kampion
Festimet për titullin kampion të Arsenal kanë sjellë emocione jo vetëm te tifozët dhe lojtarët aktualë, por edhe te ish-futbollistët e klubit. Një nga reagimet më të ndjera erdhi nga ish-mesfushori i “Topçinjve”, Granit Xhaka, i cili i kushtoi një mesazh të veçantë trajnerit Mikel Arteta dhe skuadrës pas triumfit historik në Premier League.
Arsenal siguroi titullin e parë kampion në Angli pas 22 vitesh, pasi rivali kryesor, Manchester City, u ndal në një barazim 1-1 ndaj Bournemouth, duke i dhënë fund çdo shprese për një garë titulli deri në javën e fundit.
Në një postim emocional në rrjetet sociale, Xhaka vlerësoi punën e Artetës dhe frymën e krijuar brenda skuadrës, duke theksuar besimin që klubi kishte ruajtur edhe në momentet më të vështira.
“Një skuadër speciale, lojtarë të mëdhenj dhe një klub që nuk reshti kurrë së besuari, por e gjithë kjo është falë teje, Mikel. Të gjithë atyre që të vunë në dyshim, jepini këtij njeriu dhe këtij trajneri respektin që meriton. Urime gjithë familjes së Arsenalit”, shkroi Xhaka.
Mesfushori zviceran ishte pjesë e Arsenalit për shtatë sezone, nga viti 2016 deri në 2023, periudhë gjatë së cilës zhvilloi 297 ndeshje, realizoi 23 gola dhe kontribuoi në fitimin e dy trofeve të FA Cup si dhe dy trofeve të Community Shield.
KOHA JONË SONDAZH

