Grent Halili: Tirana për titull, futemi në fushë vetëm për 3 pikë!
Grent Halili ishte në konferencën për shtyp në krah të trajnerit Nevil Dede, në prag të ndeshjes me Vllazninë. Sulmuesi foli për përballjen me shkodranët, paragjykimin për gabimet në fushë, por edhe synimet e bardhebluve për këtë sezon.
“Nuk them se po paraqitem më mirë, por dua të theksoj se vij pas një kohe të gjatë pa luajtur. Kur një lojtari i mungojnë minutat, sigurisht edhe performanca është e dobët. Fatmirësisht kam marrë minutat e duhura këtë sezon dhe besoj se po kthehem si në fillim të sezonit të shkuar. Vjet pas paraqitjeve të mira vendosën të mos luaja më. Këtë vit kam ritmin e duhur dhe kjo më jep besim të vazhdoj përpara.
Jo më kot quhet klasikja e futbollit shqiptar, por çdo ekip ka objektivat e veta. Meritojnë respekt për atë që kanë bërë deri më sot, si çdo kundërshtar tjetër. Ne jemi Tirona dhe futemi në fushë vetëm për tre pikët. Çdo ndeshje ka specifikën e vet, por ne do tentojmë fitoren për ta mbyllur vitin në mënyrën e duhur.
Nuk mendojmë për hakmarrje, pasi ata janë të parët dhe ne të shtatët. Fokusi janë pikët dhe nuk ka asnjë lloj hakmarrje. Synojmë të fitojmë dhe të ngjitemi aty ku duhet. Çdo njeri e krijon fatin e tij vet. Ne nuk e kemi krijuar siç duhet. Kemi kaluar disa herë në epërsi, por nuk e kemi ruajtur. Ose në ndeshje të tjera që kemi krijuar raste dhe nuk kemi shënuar. Mendoj se është vetëm një ngërç. Me kalimin e kohës, duke kuptuar edhe idetë e trajnerit, do arrijmë të shënojmë edhe më tepër.
Ajo ndeshje derbi vjet do të mbahet mend gjatë, ajo është pika jonë e kthesës. Ajo nuk kishte diçka specifike, thjesht u futëm në lojë, siç bëmë edhe më pas me besim tjetër. Ishim 18 pikë mbrapa, sot jemi 10, dhe dëgjoj që Tirana e ka humbur shpresën për titull. Kampionati është i gjatë, ka edhe tre faza. Akoma nuk ka mbaruar asgjë dhe këtë dua ta theksoj. Mbase do jetë ndeshja që do kthejë edhe rezultatet për ne.
Goli ndaj Vllaznisë? Është ndjesi e mirë dhe të jep besim. Me Teutën më vjen keq që nuk vlejti tre pikë. Shpresoj të shënoj dhe t’i jap tre pikët ekipit. E rëndësishme është të fitojmë dhe t’u japim tifozëve një dhuratë për fundvit”, deklaroi Halili.
KOHA JONË SONDAZH

