Hamilton niset i pari në Çmimin e madh të Malajzisë, për Vettel surprizat e këqija nuk kanë fund
Lewis Hamilton do të niset nga vendi i parë nesër në Çmimin e Madh të Malajzisë. Në provat e lira të regjistruara sot, britaniku vendosi kohën më të mirë duke i dhënë vetes mundësinë për triumfin e radhës pas garës së fundit të zhvilluar në Singapor.
Por lajmet e mira për 3 herë kampionin e botës nuk kanë fund këtu. Rivali i tij, piloti gjerman Sebastian Vettel, është tërhequr nga provat që në sesionin e parë duke bërë që nesër të niset i fundit. Motori i gjermanit të Ferrarit dështoi në provat e lira dhe pavarësisht punës së inxhinierëve të skuadrës italiane, ishte e pamundur që të rikuperohej problemi brenda 2 orëve.
Megjithatë, “Kokëkuqja” mban shpresat gjallë për garën e nesërme duke qenë se piloti tjetër i tyre, Kimi Raikonen, regjistroi një kohë vetëm 74 të mijëtat më ngadalë sesa ajo e Lewis Hamilton. Finlandezi do të niset përkrah tij në linjën e parë të startit.
Ndërkohë, në linjën e dytë do të jenë dy makinat Red Bull. Max Verstappen, ditën që mbushi 20 vjeç, regjistroi kohën e tretë më të shpejtë në këto prova, ndërsa shoku i tij i skuadrës, Daniel Ricardo, do të startojë nga vendi i katërt.
Kujtojmë se në garën e fundit në Singapor, dy makinat Ferrari u tërhoqën që në xhiron e parë pas aksidentit me pilotin Max Verstappen.
KOHA JONË SONDAZH

