Hebaj vishet kuqezi, firmos një kontratë për dy sezone e gjysmë
Rubin Hebaj zyrtarisht është i Shkëndijës. Sulmuesi shkodran, pas largimit nga Teuta, u kontaktua nga kuqezinjtë dhe prej ditës së djeshme ishte në Tetovë. Parimisht palët e kishin gjetur akordin, ndërkohë që sot sulmuesi kreu vizitat mjekësore dhe nënshkroi.
“KF Shkëndija me kënaqësi komunikon marrëveshjen me Rubin Hebajn. Palët kanë gjetur akordin dhe është firmosur kontratë për 2.5 vite. I lindur më 30 korrik të vitit 1998 në Shkodër, sulmuesi kontratën e parë profesionale e firmosi në vitin 2015 me skuadrën e qytetit të tij, Vllazninë, për të kaluar dy vite më vonë (2017) në Slloveni te NK Domzale.
Në sezonin 2018/2019 sllovenët e huazuan te Partizani i Tiranës ku me 4 gola ndihmoi skuadrën të fitonte titullin e kampionit në Shqipëri, ndërsa menjëherë pas kësaj pasoi kalim nga Domzale te Vorskla në Premier Ligën e Ukrainës.
Në janar të vitit të kaluar Teuta e Durrësit e ktheu në Shqipëri ku fitoi Kupën dhe Super Kupën, ndërsa vjen në Tetovë si përforcim për sulmin kuqezi. Shkodrani ka luajtur rregullisht me kombëtaret (U17, U19 dhe U21) e moshave të Shqipërisë Hebaj është përforcimi i parë i Shkëndijës në merkaton e janarit dhe të gjithë në klub i dëshirojmë mirëseardhje dhe suksese me fanellën kuqezi”, shkruhet në njoftimin e Shkëndijës.

KOHA JONË SONDAZH

