Si ka qenë për ju të kaloni nga Greqia në Itali?

Për mua për të kaluar nga Greqia në Itali ishte një vendim i madh dhe i vështirë që të ndiqja ëndrrën time. Lashë mbrapa njerëzit e mi, shtetin ku u rrita, shokët dhe shumë gjëra të tjera për të filluar një aventurë të re në një nga kampionatet më të forta në Europë. Kjo më hap edhe mua mundësi të reja, mund të mësoj edhe më shumë nga ana e futbollit. Jam i  lumtur për këtë vendim që mora.

Në Itali tani ka një numër të madh shqiptarësh që po luajnë në Serie A. Si ndjeheni për këtë dhe sa besim ju jep që shumë shpejt dhe ju do u bashkoheni atyre?

Kjo gjë më motivon edhe mua, që të ndjek gjurmët e tyre dhe të luaj një ditë në Serie A. Besoj se me shumë punë brenda dhe jashtë fushë, me disiplinë, me shumë besim te vetja dhe me fat mund të jem edhe unë një lojtar i ardhshëm në kampionatin Italian.

Kush është lojtari shqiptar që ju motivon më së shumti, që e keni si shembull?

Lorik Cana është një prej atyre që më motivon shumë dhe e kam si shembull. Ai ishte një lojtar i cili kishte shumë pasion për këtë sport, ishte një lider që jepte maksimumin në fushë në çdo ndeshje.

A ju krahasojnë me ndonjë futbollist të njohur?

Jo, nuk më krahasojnë me ndonjë futbollist të njohur dhe kjo gjë nuk më shqetëson. Ndihem mirë sepse më jep mundësinë të krijoj karakterin tim në fushë, me aftësitë që unë kam.

Vetë ju personalisht, cilin keni synimin më të madh në futboll? Ka një futbollist në gjurmët e të cilit do të donit të ecnit?

Dua të arrij sa më lart, të punoj dhe të jap maksimumin në këtë sport. Nuk më pëlqen të flas shumë për veten time në lidhje me futbollin, por më pëlqen të punoj shumë brenda fushe dhe të jap gjithmonë maksimunin në çdo ndeshje e stërvitje. Janë shumë lojtar klasi, të cilët luajnë në pozicionin tim në mesfushë dhe unë i ndjek dhe përpiqem të marr sa më shumë nga ata dhe të përmirësoj cilësitë e mia.