
Interi është në pritje të përgjigjeve të ekzaminimeve mjekësore për Alessandro Bastonin, i cili u detyrua të largohej nga fusha gjatë ndeshjes ndaj Stuttgartit.
Mbrojtësi italian iu nënshtrua kontrolleve instrumentale këtë të premte, ndërsa rezultatet priten të sqarojnë shkallën e dëmtimit. Dyshimi i parë pas zëvendësimit ishte një shqetësim në muskulin kuadriceps, por ende nuk dihet nëse bëhet fjalë për një problem të lehtë apo për një dëmtim më serioz.
Në rastin më optimist, Bastoni mund të qëndrojë jashtë fushave për jo më shumë se një javë. Megjithatë, nëse ekzaminimet zbulojnë një dëmtim më të rëndë, kjo do të ishte një goditje për trajnerin Cristian Chivu.
Interin e pret një kalendar i ngjeshur ndeshjesh deri në përballjen para Krishtlindjeve me Lazion në Superkupën e Italisë, ndaj mungesa e një prej mbrojtësve kryesorë do të komplikonte planet e trajnerit.
Ndërkohë, nuk ka ndryshime të rëndësishme sa i përket situatës së lojtarëve që kanë probleme më afatgjata fizike, si Hakan Calhanoglu dhe Ange-Yoan Bonny, të cilët vazhdojnë të jenë jashtë fushave.
Lajmi më pozitiv vjen nga Piotr Zielinski. Mesfushori polak është stërvitur me pjesën tjetër të grupit dhe pritet të jetë i gatshëm për ndeshjen e së shtunës kundër Genoas.