
Futbolli islandez është tronditur nga një lajm i trishtë. Ingvar Jonsson, portieri 37-vjeçar i Víkingur dhe ish-përfaqësuesi i kombëtares së Islandës, është ndarë nga jeta të mërkurën, më 25 nëntor, pas një beteje të gjatë me kancerin.
Lajmi i hidhur u konfirmua nga vetë klubi islandez përmes një komunikate në rrjetet sociale, ku shprehu dhimbjen për humbjen e futbollistit dhe ngushëllimet për familjen e tij.
“Me trishtim të madh dhe dhimbje të thellë njoftojmë ndarjen nga jeta të mikut dhe shokut tonë të dashur të skuadrës, Ingvar Jonsson, portierit të Víkingur. Ai ndërroi jetë të mërkurën, më 25 nëntor, i rrethuar nga njerëzit e tij të dashur. Zemrat e klubit dhe të gjithë tifozëve të Víkingur janë pranë familjes së tij. Shprehim ngushëllimet tona më të sinqerta”, thuhej në njoftimin e klubit.
Jonsson luajti ndeshjen e tij të fundit më 3 maj, në përballjen ndaj Keflavik. Ai ishte bashkuar me Víkingur në vitin 2020 dhe u shndërrua në një nga figurat kryesore të periudhës më të suksesshme në historinë e klubit.
Gjatë aventurës së tij me skuadrën islandeze, portieri fitoi katër tituj kampionë dhe tri Superkupa të Islandës. Përpara rikthimit në vendlindje, ai kishte luajtur edhe jashtë Islandës, duke provuar futbollin norvegjez me Start, Sandnes dhe Sandefjord, si dhe atë danez me Viborg.
Ingvar Jonsson ishte gjithashtu pjesë e kombëtares së Islandës, me të cilën zhvilloi 8 ndehsje. Ai ishte pjesë e skuadrës që shkroi historinë në Kampionatin Evropian të vitit 2016 në Francë. Islanda befasoi gjithë kontinentin në debutimin e saj në një fazë finale të Evropianit, duke arritur deri në çerekfinale.
Ndarja e tij nga jeta në moshën 37-vjeçare është një humbje e madhe për futbollin islandez.