
Rasti i Leny Yoros vazhdon të shkaktojë polemika të forta në futbollin anglez. Mbrojtësi i Manchester United, i cili u ndëshkua me karton të kuq pas vetëm tetë minutash në humbjen 4-0 ndaj Liverpoolit, ka fituar ankesën dhe i është anuluar pezullimi nga një komision i pavarur i Federatës Angleze të Futbollit.
Vendimi, i marrë të martën, ka shkaktuar pakënaqësi dhe zemërim te një pjesë e gjyqtarëve të Premier League, raporton Daily Mail.
Yoro u përjashtua pas një ndërhyrjeje ndaj Alexander Isak, në një episod që u bë menjëherë objekt diskutimi. Megjithatë, çështja ka marrë një tjetër drejtim, pasi komisioni i pavarur vendosi të anulojë pezullimin e mbrojtësit francez.
Ajo që e bën situatën edhe më të diskutueshme është fakti se komisioni përgjegjës për shqyrtimin e vendimeve të arbitrave kishte konfirmuar njëzëri, me pesë vota pro, se kartoni i kuq i dhënë nga Sam Barrott ishte i drejtë dhe se VAR-i kishte vepruar saktë duke mos ndërhyrë.
Në debat është përfshirë edhe Howard Webb, drejtuesi i arbitrave në Angli, i cili ka dalë në mbrojtje të vendimit të gjyqtarit kryesor.
“Besoj se shumica e njerëzve do ta konsideronin të drejtë vendimin, pasi Isak po lëvizte me shpejtësi drejt topit. Ekziston edhe mendimi se Lammens mund të kishte mbërritur i pari, por kjo është e diskutueshme. Sigurisht, nuk bëhej fjalë për një gabim të qartë”, deklaroi Webb.
Nga ana tjetër, Manchester United ka një interpretim krejtësisht të ndryshëm të episodit. Klubi anglez pretendon se të dhënat në dispozicion tregojnë se Isak nuk kishte mundësi ta arrinte topin përpara portierit Senne Lammens, edhe nëse do të vraponte me shpejtësinë maksimale.