Interi zbarkon në Korçë, në shtator pritet edhe vizita e Zanetit
Kjo është pika e parë e diskutimeve që u zhvilluan një ditë më parë mes përfaqësuesve të deleguar të klubit zikaltër dhe prezencës së kryebashkiakut Filo, ish zv/kryeministrit Peleshi dhe pjesëtarëve të klubit bardhekuq të Skënderbeut. Vizita e parë e përfaqësuesve të Interit në Korçë ka qenë pozitive, madje kanë mbetur të mahnitur nga qendra olimpike që po ndërtohet në Korçë dhe nga terrenet sportive atje.

Gjithsesi, më i rëndësishëm mbetet projekti që kanë në plan të ndërtohet. Interi do të zhvillojë në Korçë akademinë e tij, ku Skënderbeu do të jetë përfaqësues ekskluziv i Interit në Shqipëri. Një hap gjigant ky, si për akademinë e qytetit, ashtu edhe për klubin Skënderbeu. Në vijim të projektit do të ketë bashkëpunime mes klubeve në një formë “binjakëzimi”. Nga ana tjetër, Interi pritet që të dërgojë në Korçë një prej trajnerëve të akademisë së vet, i cili do të jetë mbikëqyrës në procesin e formimit dhe përzgjedhjen e talenteve.

Ndërkohë që edhe Skënderbeu në këtë pjesë do të ketë përfitime të mëdha, si nga ana e eksperiencës, qoftë nga ajo e menaxhimit të lojtarëve dhe afrimit të futbollistëve të një niveli më të lartë pikërisht nga ekipi zikaltër dhe jo vetëm. Në javët në vijim, në shtator ndoshta, pritet që të mbërrijë në Korçë edhe zv/ presidenti i Interit, Havier Zaneti, për të parë nga afër projektin dhe terrenet sportive.
KOHA JONË SONDAZH

