Jashanica “alarmon” Skënderbeun, Daja përgatit bllokadën për Dinamon
POROSI DHE VENDOSJE –Skënderbeu u ka dhënë fund përgatitjeve në Korçë, ndërsa dyert vazhduan edhe dje të mbyllura për tifozët në stadiumin “Skënderbeu”. Nën urdhrat e Ilir Dajës, për 90 minuta bardhekuqtë kanë punuar më së shumti në fushë, për të perfeksionuar lëvizjet e ndryshme në lojë e sipër, por mbi të gjitha rreshtimin, përqendrimin dhe interpretimin e lojës.
Gjithçka ka nisur me aksione të shpejta nga krahët. Daja ka rreshtuar formacionin e parë dhe modelin e kundërshtarit me piketa statike për të krijuar idenë e vendosjes dhe të lëvizjes dhe, për gati 20 minuta, ekipi është përqendruar vetëm atje. Pas këtij ushtrimi, gjithçka ka kaluar në goditjet nga larg, por edhe qarkullimi i topit që ishin pikat e forta të Skënderbeut në pjesën e parë.
PROVA ME KRAHËT – Në mes të seancës stërvitore, u provua edhe një lëvizje brenda lojës, duke lënë për disa minuta Gavazajn në krahun e majtë në linjë me Micin, ndërsa Latifin djathtas me Vangjelin.
Por duke parë zhvillimin e aksioneve iu rikthyen vendosjes klasike, pra Gavazaj djathtas dhe Latifi majtas. Duket se diçka nuk e ka bindur trajnerin në lidhje me këtë ndryshim pozicionesh dhe ka rregulluar menjëherë gjithçka.
GODITJET STANDARDE – Në pjesën e fundit të seancës, trajneri bardhekuq rëndësi të veçantë u ka kushtuar goditjeve standarde. Fillimisht provuan anën defensive të rreshtimit. Daja është kujdesur deri në detaje për goditjet standarde, që njihen si një pikë e fortë e kundërshtarit, madje ka arritur deri atje sa të caktojë edhe rreshtimin e lojtarëve në zonën e rreptësisë, si dhe mbulimin që do t’i bëjnë zonës së portierit Shehi.
Mbi të gjithë do të jetë Osmani, ai që do ta udhëheqë ekipin në goditjet e tilla, qofshin këto edhe goditje këndi. Pikërisht shtatlarti korçar që dje ka filluar të komandojë dhe të drejtojë gjithë repartin për të zgjedhur kohën kur duhet të presin dhe kur duhet të startojnë drejt zonës.
Direktivat e Dajës kanë qenë të qarta. Më pas është punuar me anën ofensive të goditjeve standarde, ku edhe këtu rreshtimi ka qenë i specifikuar që në nisje. Daja mblidhte pas dy-tre provash ekipin për t’iu shpjeguar skemën e radhës, teksa lojtarët kanë provuar mbi 7 skema të goditjeve të dënimit dhe goditjeve nga këndi, disa prej të cilave kanë rezultuar mjaft efikase./panoramasport
KOHA JONË SONDAZH

