Juve nis ofensivën në merkato/ Nga Alisson te Bernardo Silva, deri te dilema Vlahovic apo Lewandowski
Juventus po lëviz herët në merkato dhe jo aspak në heshtje. Drejtori sportiv Damien Comolli e kishte paralajmëruar: me ose pa kualifikimin në Champions, skuadra do të përforcohet ndjeshëm. Dhe planet kanë nisur të marrin formë me disa emra të mëdhenj në fokus.
Në portë del në skenë Alisson Becker, për të cilin raportohet se ekziston tashmë një marrëveshje verbale me lojtarin. Në mesfushë dhe në rolin e trekuartistit, objektivi është Bernardo Silva, edhe pse tratativa pritet të jetë e ndërlikuar dhe e gjatë. Emri i fundit i shtuar në listë është Ardon Jashari, i menduar për organizimin e lojës.
Këto lëvizje synojnë të rindërtojnë boshtin qendror të ekipit, duke i dhënë një identitet më konkurrues një skuadre që aktualisht lufton për një vend në Champions, por synon të dalë nga roli i ndjekëses dhe të kthehet në protagoniste sezonin e ardhshëm.
Në prapaskenë, trajneri Luciano Spalletti po mendon një ndërtim klasik të ekipit: portier, mesfushor qendror dhe trekuartist, një formulë tradicionale për të forcuar “shtyllën kurrizore” të skuadrës.
Megjithatë, pika më delikate mbetet ajo e sulmuesit. Deri pak javë më parë, rinovimi i Dušan Vlahovic dukej çështje e mbyllur. Por një dëmtim i ri ka ngadalësuar negociatat dhe ka rikthyer pasigurinë mbi të ardhmen e tij në Torino.
Në këtë kontekst, në horizont shfaqet një emër i madh: Robert Lewandowski. Sulmuesi polak mund të largohet me parametra zero nga Barcelona, pasi nuk është i kënaqur me ofertën aktuale, jo vetëm për aspektin ekonomik, por edhe për rolin e reduktuar në skuadër.
Lewandowski, i ndjekur gjithashtu nga Milani, dëshiron të mbetet në qendër të një projekti ambicioz dhe po vlerëson mundësinë për një eksperiencë të re në një kampionat tjetër. Vendimi nuk pritet të merret shpejt, por ofertat nga klubet italiane janë mbi tavolinë.
KOHA JONË SONDAZH

