Kaja rrëfehet për mediat angleze: Dua të shpërblej sakrificat e prindërve të mi
“Deadlinenews.co.uk” i ka kushtuar një hapësirë të veçantë Egli Kajës, 21-vjeçarit të Livingstonit në Skoci, që është thirrur nga Cristian Panucci pikërisht për përballjen me skocezët në “Loro Boriçi”. Në një rrëfim të veçantë anësori kuqezi tregon peripecitë që ka kaluar familja e tij për t’i siguruar një të ardhme më të mirë në Britaninë e Madhe.
“Unë isha fëmijë, kur jetonim në Kosovë, nuk e kisha të qartë se çfarë ndodhte në kohën e luftës. Duhet të ketë qenë një kohë shumë e vështirë. Prindërve iu desh shumë guxim dhe vendosmëri për të arritur në Britaninë e Madhe. Ata ishin të vendosur për të ndërtuar një jetë për mua dhe motrën time dhe çdo vendim që kanë marrë, ka qenë për ne. Bënë sakrifica të mëdha; braktisën familjet e veta, lanë punën dhe ndërmorën një rrezik të madh. Do t’iu jem gjithmonë mirënjohës për gjithçka që më kanë dhënë”.
Prindërit e Egli Kajës u vendosën në Middlesbrough, para se të zhvendoseshin në Londër, kur Egli ishte 10 vjeç. Talenti i tij u zbulua me shpejtësi nga AFC Ëimbledon.
“Prindërit bënë gjithçka që mundën për të më ndihmuar, duke më ndjekur ngado në trajnim, në shi dhe në borë. Ka qenë një udhëtim i vështirë nga Kosova në Angli dhe, megjithëse ke ëndrrat e tuaja, kurrë nuk mendonim se mund të luaja futboll ndërkombëtar një ditë.
Ata kanë angazhimet e tyre në pune, por unë u thashë: Do të paguaj për ju. Do të fluturojnë të premten drejt Shqipërisë dhe do të qëndrojnë deri të mërkurën, për të parë ndeshjet kundër Skocisë dhe Uellsit. Shpresoj ta bëj debutimin tim para tyre, duke marrë parasysh gjithçka që ata kanë bërë për mua. Unë e di se sa krenar do t’i bëja ata.
Është një eksperiencë e shkëlqyer për të punuar së bashku me djemtë kuqezinj, që luajnë për skuadrat e mëdha europiane, si Hysaj te Napoli dhe Taulant Xhaka te Baseli. Do të ishte e çmendur të mos bisedoja me këta lojtarë, të mos mësoja prej tyre gjithçka mundem dhe të kuptoj prej tyre se çfarë duhet të bëj atje”, deklaroi Kaja.
KOHA JONË SONDAZH

