Kaos para Torino-Juventus, tifozët e bardhezinjtë kërkojnë të mos luhet derbi
Tensioni ka arritur kulmin në prag të derbit mes Torino dhe Juventus, me incidente serioze të raportuara jashtë stadiumit “Grande Torino” vetëm pak orë para nisjes së sfidës.
Sipas mediave italiane, grupet ultras më të dhunshme të dy skuadrave kanë tentuar të përballen pranë sektorit të tifozëve miq, zonë e rezervuar për mbështetësit bardhezi. Situata ka degraduar me hedhje shishesh dhe gurësh në drejtim të forcave të rendit, duke detyruar policinë të ndërhyjë me gaz lotsjellës për të shpërndarë turmat dhe rikthyer qetësinë.
Raportohet se disa tifozë nga të dy kampet janë ndaluar nga policia dhe forcat e sigurisë, ndërsa tensioni ka mbetur i lartë deri pranë fillimit të ndeshjes.
Situata është përshkallëzuar edhe më tej pasi ultrasit e Juventusit kanë refuzuar të futen në stadium rreth një orë para nisjes së derbit, në shenjë proteste ndaj mënyrës së ndërhyrjes së policisë. Sipas pretendimeve të tyre, një tifoz bardhezi 45-vjeçar është goditur në kokë nga një kapsollë lotsjellëse e qëlluar në lartësi njeriu.
Burime lokale raportojnë se tifozi është transportuar fillimisht në gjendje të rëndë, me kod të kuq, në spitalin Mauriziano dhe më pas është transferuar në CTO Hospital Turin për trajtim të specializuar pas traumës në kokë.
Në shenjë solidariteti, tifozët e pranishëm në sektorin mik, pa flamuj dhe banderola, kanë kërkuar nga skuadra të mos zbresë në fushë. Disa përfaqësues të tifozërisë së organizuar kanë zhvilluar një bisedë direkte me kapitenin Manuel Locatelli për t’i shpjeguar situatën dhe kërkesat e tyre.
KOHA JONË SONDAZH

