“Këmbana” alarmi për Nejmar te PSG, zbulohen arsyet e trishtimit të tij
Prej ditësh në mediat franceze po përflitet për situatën e Nejmar te PSG. Gazeta “L’Equipe” dhe “Le Parisien” kanë zbuluar edhe arsyet e trishtimit të futbollistit brazilian në Francë. Nejmar nuk është aspak i lumtur në muajt e parë te ekipi i presidentit Naser Al Kelaifi. Vërshëllimat e tifozëve, javën e kaluar, në fitoren 8-0 kundër Dijon, e kanë goditur sulmuesin dhe ambientin e tij.
Në fakt, bordi drejtues i PSG-së është i vetëdijshëm për situatën dhe shqetësimi është i dukshëm në zonën fisnike të “Parc des Princes”. Nejmar nuk e fsheh shqetësimin se të tjerët kanë paragjykime për Ligue 1. Ai u bashkua një kampionati, që e ka nivelin më të ulët se ai spanjoll, por jo sa Nejmar kishte menduar. Një arsye tjetër e trishtimit të tij është se futbolli francez i duket shumë mbrojtës dhe, fizikisht, beson se është më i ashpër.
Gazeta franceze nënvizon që Nejmar ka pranuar privatisht, se preferon futbollin spanjoll, sepse rivalët i jepnin atij më shumë liri dhe ndërhyrjet e ashpra janë më të kufizuara. Një tjetër arsye se përse braziliani është i mërzitur, lidhet edhe me faktin se ai është shumë i komentuar për faktin se është blerja më e shtrenjtë në histori, një gjë që nuk i krijon qetësi për të punuar. /Koha Jonë/
KOHA JONË SONDAZH

