Klubet më të pasura në botë, Junajtid konfirmohet para Realit
Mançester Junajtid vazhdon të mbetet në majën e botës për sa i përket klubeve që kanë arkëtuar më shumë para gjatë sezonit të kaluar. Në klasifikimin special të “Deloitte Football Money League”, Djajtë e Kuq mbajnë vendin e parë madje duke lënë pas dhe fituesit e Ligës së Kampionëve në sezonin e fundit, Real Madrid. Skuadra e Murinjos ka arkëtuar shifrën e çmendur të 676,3 milionë eurove duke lënë pas “galaktikat” me 1,7 milionë euro më pak. Klubi anglez fitoi Europa League në sezonin e fundit dhe kjo duket se e ka ndihmuar për të qenë më lart se gjigantët spanjoll.
Në vendin e tretë qëndron Barcelona me 648,3 milionë euro në total arkëtime. Pak më poshtë katalanasve është Bajerni me 587 milionë euro, e ndjekur nga Mançester Siti me 527. Arsenal, PSG, Çelsi, Liverpul dhe Juventus plotësojnë 10-shen e parë. Bardhezinjtë janë klubi i vetëm italian që është në listën e 10 ekipeve me përfitime më të mëdha në Europë.

Nga klubet e njohura në Europë një hap të rëndësishëm përpara ka bërë Interi që është ngjitur në vendin e 15-të me 80 milionë euro më shumë përfitime se një sezon më parë. Milani vazhdon të ketë rënie duke zbritur nga vendi i 16-të në të 21-tin. Kuqezinjtë kanë qenë pjesë e renditjes së “Deloitte Football Money League” çdo edicion duke filluar nga sezoni 2012-13. Duke i mbledhur së bashku 20 klubet e para arrijnë shifrën e 7.9 miliard euro. Skuadrat angleze dominojnë edhe këtë sezon, me 10 ekipe në 20 më të mirat, dhe nëse shkojmë te 30 më të mirat, numri i tyre shkon në 14. /Koha Jonë/

KOHA JONË SONDAZH

