“Kolonia serbe” kthehet në Lezhë, Besëlidhja merr një makineri golash
Lezhjanët e Besëlidhjes vijojnë pushimet dimërore dhe do të grumbullohen që në fillim të javës së dytë të janarit për të nisur fazën përgatitore dimërore për pjesën e dytë të kampionatit. Duke qenë se Besëlidhja si objektiv i ka vënë vetes ngjitjen në Superiore, i duhet që në kuadër të merkatos së janarit të rifreskojë ekipin. Dhe në fakt, puna ka nisur që më 1 dhjetor, kur skuadrës i është bashkuar në stërvitje sulmuesi serb, Kosta Bajiç, dhe në janar pritet që t’i bashkohen edhe të tjerë.
Sulmuesi serb, Kosta Bajiç, që në muajin dhjetor është stërvitur me Besëlidhjen për t’u zyrtarizuar në janar, në një prononcim për “Panorama Sport”, u shpreh: “Jam mjaft i kënaqur me ftesën që më bëri Besëlidhja për t’u kthyer përsëri këtu pas një provoje të shkurtër në Kazakistan, ku mbylla fazën e parë. Sapo erdha në Lezhë, që më 1 dhjetor, iu bashkova skuadrës në stërvitje për të ruajtur kondicionin fizik e tekniko-taktik pas mbylljes së llogarive me kazakët e FC Kyzylzhar. Që ditën e parë iu bashkova skuadrës në stërvitje, mësova për objektivat që për mua janë të njohura, pasi këto synime i kemi pasur edhe kur kam qenë më parë pjesë e Besëlidhjes. Po ta shohësh në aparencë, nga diferenca e pikëve me kreun, të duket shumë e vështirë arritja e objektivit, por duke e ditur se faza e tretë do të nisë me pikë të përgjysmuara, ka ende shpresë për vendin e parë”, u shpreh fillimisht Bajiç në prononcimin e tij për gazetën.
Më tej, Bajiç vazhdon duke thënë: “Duke parë gjendjen e tanishme të skuadrës dhe premtimet për afrime cilësore, jam i bindur se Besëlidhja më në fund do ta lërë këtë kategori për t’u ngjitur në Superiore nëse kjo do të kërkohet nga të gjithë, që nga trajneri e deri te futbollisti i fundit i stolit.
Duke përfituar nga kjo intervistë, dua që të gjithë kolegëve të mi futbollistë të Besëlidhjes, presidentit, drejtuesve të saj dhe në fund të gjithë lezhjanëve e në veçanti tifozërisë së mrekullueshme, dua që t’iu uroj gëzuar Vitin e Ri 2018!”, e mbylli bisedën për gazetën “Panorama Sport” sulmuesi serb i Besëlidhjes, Kosta Bajiç. 28-vjeçari ka luajtur dy vite me ekipin lezhjan, ku është aktivizuar në 46 takime dhe ka shënuar 34 gola. Një njohës shumë i mirë i portës dhe i kampionatit shqiptar. Gjithashtu, te Besëlidhja do të rikthehet edhe mesfushori serb, Milan Gjorgjeviç.
KOHA JONË SONDAZH

