Kukësi mund me përmbysje Kastriotin, Teuta i shkakton humbjen e parë Laçit (VIDEO)
Kukësi me shumë vështirë triumfoi 1-2 me përmbysje në transfertën e Fushë-Krujës ndaj Kastriotit vendas. Në stadiumin Redi Maloku në Fushë-Krujë, ku Kastrioti luan ndeshjet si skuadër pritëse në këtë sezon, u luajt një sfidë shumë e bukur me Kastriotin që zhbllokoi shifrat në minutën e 21-të me brazilianin Roger të cilin e ka huazuar pikërisht nga skuadra verilindore. Gjithsesi në fillimin e pjesës së dytë i njëjti lojtar humbi shansin ideal për të dyfishuar shifrat nga 11 metra distancë me Frashërin, që priti penalltinë.
Në të 55-ën kapiteni i verilindorëve Ylli Shameti barazoi shifrat. Fati nuk ishte me Kastriotin që goditi dhe shtyllën ndërsa pas rastesh të shumta të shpërdoruara nga të dyja skuadrat, në minutën e 84-ët braziliani William Cordeiro Melo realizoi golin e tij të parë me fanellën e Kukësit duke i dhënë fitoren skuadrës së Cungut.
Laçi pëson disfatën e parë në këtë sezon, pasi u mund në shtëpi nga Teuta me rezultatin e thellë 0-3. Xhixha u ndëshkua me karton të kuq nga gjyqtari Enea Jorgji pas një ndërhyrje të ashpër ndaj lojtarit kundërshtar, Kallakut. Pas daljes nga loja të sulmuesit 20-vjeçar, durrsakët marrin avantazhin me anë të Latif në minutën e 15-të. Vetëm dhjetë minuta më pas Gerhard Progni ka dyfishuar shifrat. Në pjesën e dytë, Latif shënoi edhe golin e tretë, dhe të dytin personal. Kjo është humbja e parë që bardhezinjtë regjistrojnë në kampionat për këtë sezon, pas katër fitoreve dhe katër humbjeve të llogaritura deri më tani.
KOHA JONË SONDAZH

