Kukësi përmbys Partizanin, Vllaznia fiton duelin e mbijetesës
Dy ndeshjet e fundit të javës së 20-të janë shoqëruar nga reshjet e shiut, por në fushë në fakt ka pasur edhe një shi golash. Dueli për vendin e tretë mes Partizanit dhe Kukësit, është mbyllur me fitoren e skuadrës verilindore 1-3 me përmbysje. Në një sfidë ku të kuqtë kishin mungesa të shumta pasi mungonin për shkak skualifikimi kapiteni Batha por edhe Trashi e Progni, Partizani gjithsesi e gjeti forcën për të zhvilluar një pjesë të parë shumë të mirë, të cilën e mbylli me avantazhin 1-0 falë finalizimit të mbrojtësit boshnjak Renato Gojkoviç në minutën e 43-të. Në fraksionin e dytë Partizani hyri në fushë me idenë për të administruar avantazhin dhe për t’i ndëshkuar kampionët e Shqipërisë me anë të kundërsulmit por verilindorët luajtën me nervat e të kuqve dhe dalja me karton të kuq e Culum ia vështirësoi gjërat skuadrës së zëvendës trajnerit Klevis Dalipi, me Kukësin e Pakult që shënoi 3 herë në portën e Hoxhës.
Pikërisht në aksionin e parë pas kalimit në epërsi numerike, verilindorët kanë barazuar shifrat, falë shërbimit të Bakajt nga goditja e këndit, për Gurin, që në zonë dërgon topin me kokë lehtësisht në rrjetën e Alban Hoxhës. Vetëm tre minuta më pas, kampionët në fuqi kanë përmbysur gjithçka me një gol simetrik, kësaj here të nisur nga e majta, me Kale që ka shërbyer në zonë për Hoxhën të mbërritur nga mbrojtja. Ky i fundit fiton duelin me të porsa futurin në lojë, Atanda, dhe me kokë dërgon topin në rrjetë. Të kuqtë kanë gjetur rrugën drejt rrjetës, por arbitri anësor ka vendosur për pozicion jashtë loje të Bardhit, duke lënë në fuqi të paprekur avantazhin e Kukësit. Në avantazh, sikurse dhe në epërsi numerike, kampionët e kanë patur të lehtë të ruajnë fitoren, madje dhe ta thellojnë atë deri në vërshëllimën e fundit të arbitrit. Bakaj është ndëshkuar me karton të kuq në minutën e 90’-të, por vetëm pasi ishte zëvendësuar, për sjellje jo korrekte ndaj tifozerisë. Në minutën e fundit shtesë Guri ka thelluar epërsinë e kampionëve në 1-3 falë një inkursioni perfekt në kundrasulm ndaj të kuqve.
Në Shkodër ndërkohë Vllaznia ka hedhur një hap të madh drejt shpëtimit, pasi ka mundur në shtëpi skuadrën e Teutës 2-0. Vendasit kalojnë në avantazh falë një super goli të Çinarit, i cili në të minutën e 27-të ka realizuar nga jashtë zone me një gjuajtje të fuqishme. Në të 35-ën Malota ka dyfishuar shifrat për kuqeblutë, duke konkretizuar me gol daljen e tij nga mbrojtja dhe krosimin e shërbyer nga goditja e këndit. Durrsakët provuan të reagonin, duke shpërdoruar edhe ato raste të krijuara gjatë pjesës së dytë. Pas javës së 20-të Vllaznia mbetet në vendin e 8-të, edhe pse shkon në kuotën e 21 pikëve, duke rritur në 4 pikë epërsinë ndaj Teutës së vendit të 9-të.
KOHA JONË SONDAZH

