Lacio pa frena, “shtyp” Chievo-n dhe ngjitet i treti
Është zhvilluar java e 21-të e kampionatit italian të futbollit.
Lacio ka “likujduar”me rezultatin e thellë 5 me 1 Chievon. Kryeqytetasit dominuan gjatë gjithë takimit dhe në minutën e 23-të kaluan në avantazh me anë të Luis Alberto-s, avantazh që nuk zgjati shumë.
Në minutën e 25-të, Chievo vendosi barazpeshën me anë të Puçiarelli, por një gol i talentit të të kaltërve, Milinkoviç-Savic, dërgoi Lacio-n drejt dhomave të zhveshjeve në avantazh 2 me 1.
Ishte përsëri mesfushori serb që i siguroi 3 pikët e radhës, takimin, duke realizuar golin e tretë për Lacion dhe të dytin personal.
Në fundin e takimit kishte vend dhe për Bastos e Nani që të shënonin, duke vulosur dhe rezultatin përfundimtar 5 me 1. Me këtë fitore Lacio “parakalon” Interin, duke u ngjitur në vendin e tretë me 43 pikë.
Në takimet e tjera Crotone fitoi “duelin e mbijetesës”, duke mundur pastër 3 me 0 Veronën, Sampdoria mposhti në shtëpi 3 me 1 Fiorentinën, Bologna nuk fali Beneventon, me emilianët që fituan 3 me 0, ndërsa Sassuolo e Udinese bënë një hap fals në shtëpi , pasi u ndalën në barazim 1 me 1 përkatësisht nga Torino e Spal.
Edhe pas kësaj jave, Seria A kryesohet nga Napoli që mundi minimalisht 1 me 0 Atalantën, ndërsa kryesfida e kësaj jave luhet në “Giuseppe Meaza” aty ku Interi pret Romën.
KOHA JONË SONDAZH

