Lampard refuzon pankinën e Chelsea-t: Pjesë e rëndësishme e jetës sime, por …

Ikona e Chelsea-t, Frank Lampard, ka reaguar ndaj zërave që e lidhin me një rikthim të mundshëm në stolin e klubit londinez. Pavarësisht spekulimeve të fundit, tekniku anglez e ka bërë të qartë se e ardhmja e tij e afërt është e lidhur me Coventry City.

Lampard vjen pas një sezoni të suksesshëm, ku siguroi titullin në EFL Championship dhe riktheu Coventry-n në elitën e futbollit anglez, Premier League. Megjithatë, emri i tij është përmendur si një alternativë për pankinën e “Bluve”, një rol që ai e ka mbajtur edhe më parë mes viteve 2019 dhe 2021.

“Jam trajneri i Coventry dhe dua të shijoj këtë moment. Nuk dua të flas për situatën te Chelsea apo për trajnerët e tjerë, pasi nuk është e drejtë pa njohur çfarë ndodh pas skenave”, u shpreh Lampard për mediat.

Swiss Digital Desktop Reklama

Ai theksoi se arritjet e këtij sezoni meritojnë vëmendjen maksimale: “Fitimi i titullit dhe ngjitja në Premier League janë momente që tifozët duhet t’i shijojnë. Kjo është ajo që ka rëndësi tani”.

Swiss Digital Mobile Reklama

Sa i përket situatës aktuale te Chelsea, Lampard e pranoi se klubi po kalon një periudhë të vështirë, por shtoi se ende ka objektiva për t’u arritur: “Ka ende mundësi për të shpëtuar sezonin, si në FA Cup ashtu edhe në kampionat, nëse rezultatet përmirësohen”.

Në fund, ai nënvizoi lidhjen e fortë emocionale me klubin londinez, por pa lënë vend për keqinterpretime: “Chelsea është pjesë e madhe e jetës sime, por tani puna ime është këtu. Jam krenar për atë që kemi arritur me Coventry dhe dua ta shijoj këtë moment”.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A mendoni se Shqipëria pranohet në BE deri në vitin 2030?