Luftëtari suprizon Flamurtarin në Vlorë, vendos Shkurtaj (VIDEO)
Luftëtari bën surprizën në ndeshjen e fundit të javës së 22-të, duke fituar minimalisht në transfertë ndaj Flamurtarit. Skuadra e Hasan Likës i ka dhënë goditje të fortë vlonjateve, të cilët tashmë e shohin veten në vendin e tretë me pikë të barabarta me Kukësin. Ndeshja nis me agresivitet nga të dyja skuadrat. Flamurtari në minutën e 16-të, është shumë pranë golit, por Nedeljkoviç dhe Useini nuk përfitojnë në afërsi të zonës së Luftëtarit.
Në minutën e 30-të Vlonjatët pretendojnë një penallti, pas një prekje me dorë në zonën e Luftëtarit, por për kryesorin nuk është penallti. 4 minuta nga fundi i pjesës së parë, Rroca godet fuqishëm me të djathtën, por Nurkoviç ndal me vështirësi në dy kohë topin. Flamurtari kundërpërgjigjet mjaft mirë me Pollozhanin. Futbollisti i Flamurtarit është gjendur i vetëm përballë portierit, por nuk ka arritur të shënojë.
Fraksioni i dytë do të sillte emocione të tjera. Luftëtari gjen golin e avantazhit në minutën e 54-të. Shkurtaj realizon, pas pasimit fantastik të ardhur nga Bregu në hyrje të zonës. Flamurtari përpiqet që të reagojë deri në fund, por nuk arrin që të shënojë golin e barazimit. /Koha Jonë/
KOHA JONË SONDAZH

