Magani i trembet lojës jo kalendarit të Tiranës, Dosti: Elbasani nuk dorëzohet!
Fitorja e pastër 2-0 ndaj Elbasanit, është një fitore e pastër dhe normalisht trajneri Gugash Magani duhet të ishte i kënaqur, por rezultati nuk pasqyron lojën e 90 minutave që u zhvilluan në Fushë-Krujë. Trajneri i bardhebluve akuzon rastet e shumta të shpërdoruara. – “Shënuam më shpejt ndryshe nga herët e tjera që kemi qenë me zemër të mirë deri në fund. Kemi krijuar shumë raste, ne kemi fituar por jam i pakënaqur për rastet e shpërdoruara nga lojtarët sepse jam i mendimit që nëse nuk shënon herët a vonë do të ndëshkohesh,” – theksoi Magani. Megjithatë, skuadra e tij ndodhet aktualisht në krye të klasifikimit, dhe e ndan atë në kuotën e 47 pikëve bashkë me Kukësin, që fitoi 3-0 ndaj Partizanit. Por kalendari i ndeshjeve të ardhshme ofron në radhë ekipe të tjera të forta, si Laçin, Partizanin, Skënderbeun dhe Kukësin, që do të mund të vendosin përfundimisht fatet e bardhebluve, sa i përket titullit kampion. – “Duhet llogaritur që ne kemi një pjesë të skuadrës që na ka munguar. Në ditët e ardhshme rikuperimet do të jenë normale dhe do të kemi grupin më të plotë për këtë seri ndeshjesh, dhe më e rëndësishmja është që përballë të tillë kundërshtarëve nuk ka nevojë që të karikosh skuadrën pasi adrenalina rritet vetvetiu,” – shprehet Magani.
Elbasani, Dosti: Nuk jemi dorëzuar!
Humbja 2-0 jep pak shpresa për Elbasanin, që të mbijetojë në Kategorinë Superiore. Megjithatë, trajneri i verdhebluve, Muharrem Dosti, mendon se paraqitja e skuadrës është motivi që justifikon shprehjen, “shpresa vdes e fundit” ndaj dhe shpreson që të rikuperohet sa më tepër në ndeshjet e ardhshme. – “Fazën e tretë kemi zhvilluar lojëra të mira. Jam shumë i kënaqur nga djemtë. Kam dy vërejtje, për golin e anuluar dhe një penallti të pa-dhënë. Kemi një skuadër të re dhe do të luftojmë deri në fund. Humbëm një betejë të radhës por jo luftën.” Elbasani fitoi ndaj Teutës një javë më parë, ndërsa “djemtë e detit” janë mundur të shtunën në Durrës nga Laçi. Llogaritë, që Dosti mban ende shpresa janë të thjeshta. Elbasani duhet të fitojë sa më shumë ndeshje deri në mbyllje të garës dhe të shpresojë tek ndonjë rrëshqitje e mundshme e Teutës.
KOHA JONË SONDAZH

