Manchester City zgjedh pasuesin e Guardiolës, Enzo Maresca firmos deri në vitin 2029
Manchester City duket se ka marrë vendimin për epokën pas Pep Guardiolës. Klubi anglez ka vendosur t’i besojë pankinën teknikut italian Enzo Maresca, i cili pritet të rikthehet në një ambient që e njeh mirë pas eksperiencave të mëparshme me “qytetarwt”.
Pas përfundimit të aventurës në krye të Chelsea, Maresca është gati të nisë një kapitull të ri në stadiumin Etihad. Trajneri italian ka qenë më parë pjesë e stafit teknik të Manchester Cityt, si edhe drejtues i ekipit U23 të klubit, përpara se të vazhdonte karrierën si trajner profesionist.
Eksperienca e tij nisi te Parma, ku rezultatet nuk ishin bindëse, ndërsa më pas spikati në drejtimin e Leicester City, ku mori vlerësime pozitive për punën dhe filozofinë e lojës.
Sipas gazetarit të merkatos Fabrizio Romano, Maresca ka firmosur tashmë një kontratë trevjeçare që do ta mbajë në krye të Manchester City-t deri në qershor të vitit 2029, duke ndërprerë kështu marrëveshjen afatgjatë që kishte me Chelsean.
Raportohet se trajneri italian ka nisur menjëherë punën me drejtuesit e klubit për planifikimin e merkatos së verës dhe ndërtimin e skuadrës për sezonin e ardhshëm. Në këtë pikë, mbetet vetëm komunikata zyrtare e klubit për të formalizuar emërimin.
Zgjedhja e Marescës shihet si një bast ambicioz, por njëkohësisht si një vendim në emër të vazhdimësisë taktike. Ideja e Manchester City-t është të ruajë identitetin e ndërtuar gjatë viteve të Guardiolës, duke ia besuar projektin një prej nxënësve të tij më të afërt.
KOHA JONË SONDAZH

