Mbappé zgjedh Parisin për 180 milionë euro, Real sfidon Barçën për Ousmane Dembelé
Mbërritja e Neymarit te Paris SG duket se ka bindur edhe Kylian Mbappé të bashkohet me të në skuadrën e kryeqytetit francez. Klubi është gati të paguajë 180 milionë euro për ta blerë sulmuesin e ri nga Monaco. Sipas radios kolumbiane, Monaco po ndjek sulmuesin e Milanit, Carlos Bacca.
Mbetet duarbosh Real Madrid, i cili, sipas El Mundo Deportivo, futet menjëherë në garë me Barcelonën për një tjetër talent të ri francez, Ousmane Dembelé i Borussia Dortmund. Barcelona nga ana e saj detyrohet të heqë dorë nga Coutinho, pasi Liverpool përsërit se është i pashitshëm, duke refuzuar madje edhe të ulet e të bisedojë me klubin spanjoll.
Ndërkaq te Paris SG ka edhe dalje. Sipas L’Equipe, spanjolli Jesé (ish Real Madrid) është në fokusin e Fiorentinës.
Real Madrid “ngushëllohet” me golin e parë të Vinicius Junior me profesionistët. Sulmuesi brazilian i lindur më 2000, i cili është blerë për 45 milionë euro dhe lënë hua te Flamengo deri në qershor 2019, shënoi golin e pestë në fitoren kundër Palestino, në ndeshjen e kthimit për të 16-tat e Copa Sudamericana. I futur në fushë në minutën e 72-të, djaloshit iu desh vetëm një minutë për të shënuar gol, me siguri i pari i një serie të gjatë.
KOHA JONË SONDAZH

