Mbyllet “telenovela” Schick, Juventus nxjerr jashtë loje Romën dhe Interin
Në Itali pritej që Patrik Schick do të firmoste me Romën dhe pothuajse gjithçka ishte e mbyllur, madje Roma kishte bërë ofertën më të mirë për sulmuesin çek (38 milionë euro), duke mposhtur edhe konkurrencën e Interit, por së fundmi mediat italiane raportojnë se Juventusi është rikthyer në garë dhe ka arritur një tjetër marrëveshje me 21-vjeçarin. Edhe pse bardhezinjtë një muaj më parë u tërhoqën pas marrëveshjes së parë me sulmuesin dhe dështimit të testeve mjekësore.
“Sportmediaset” raporton se Juventus dhe Sampdoria kanë gjetur gjuhën e përbashkët, pasi kanë marrë më parë edhe miratimin e Patrik Schick, që lojtari të transferohet te bardhezinjtë verën e ardhshme. Ndërkohë që, gjatë sezonit 2017-2018 që sapo ka nisur, çeku do të luajë në formë huazimi me Sampdorian. Gjithsesi, skuadra e Sampdoria kërkon nga Juventusi që të nënshkruajë kontratën e re me të njëjtën ofertë të Romës, 38 milionë euro.
KOHA JONË SONDAZH

